Çfarë ndodhi në takimin Gogu-Veliaj në burgun e Fierit? Analistët debat në studio

Çfarë ndodhi në burgun e Fierit gjatë takimit mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj? Kjo ishte një tjetër pyetje që u ngrit gjatë emisionit “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus.
Gazetari Hoxha tha se Gogu ka shkuar pas orës 22:00, me urdhër të Ramës, në mënyrë që takimi të mos regjistrohej.
Por, për analistin Alban Dudushi, Gogu mund të shkonte në çdo moment për të zhvilluar takimin.
Pjesë nga biseda:
Balaj: E para, ngjarja ka ndodhur të premten. Nga e premtja deri të hënën, ku u shpreh pala e Veliajt se po bëhet një persekutim politik, zoti Gogu nuk ka thënë në asnjë moment: “Shkova, takova Veliajn, verifikova kushtet”. Është çmenduri të thuash që shkova, verifikova kushtet dhe s’ka bërë asnjë letër bakalli. Nuk mund të thotë ministri: “Shihni, e vizitova unë në burg, ishte shumë mirë”. Ai duhet të bëjë një kërkesë, duhet të bëjë një aplikim.
Rakipi: Ministri duhet të shkojë mbi këto baza.
Balaj: Ministri shkon si ministër. Tani thotë për orarin, unë e di që mund të shkojë në çdo lloj orari.
Hoxha: Ore, se e bëtë restorant burgun!
Rakipi: Dhe restoranti është me orar.
Hoxha: Po s’të lë njeri të hysh, mo!
Balaj: Nuk është thelbi pse e lanë. Problemi është se për çfarë shkoi.
Hoxha: Bërja e takimit në këto kushte, në zyrën e drejtorit, pa praninë e personave të tretë, do të thotë që ministri aty ka shkuar për një hall.
Dudushi: Për të njëjtin mision që ka vajtur, mund të shkonte edhe para orës 20:00.
Balaj: Ka hyrë si hajdut, ka dalë si hajdut.
Hoxha: S’duan që ky takim të regjistrohet.
Dudushi: Pse, po të vejë në orën 6 të mëngjesit dhe të thotë “mos më regjistroni”, do ta regjistrojnë?
Hoxha: Po, patjetër, mo! Para orës 20:00 nuk lejohet.
Dudushi: Pse nuk e bëri pra në 6 takimin, por e bëri në 10 e gjysmë?
Hoxha: E bëri në 10 e gjysmë, se është me porosi të shefit.
Dudushi: Po edhe në 6 me porosi të shefit.
Hoxha: Pse është bërë takimi në zyrën e drejtorit dhe jo në qelinë e Veliajt? Sepse në qelinë e Veliajt dëgjojnë edhe ata që janë ngjitur.
Dudushi: Logjika është kjo: në një institucion të mbyllur, ai mund t’i bëjë shkeljet si gjatë orarit zyrtar, ashtu edhe pas orarit. Nuk është se ka ndonjë problem.
Hoxha: Po pse ka shkuar në 10-të?
Dudushi: Nuk e di.
Hoxha: Po i futi një paçe pilaf, një byrek dhe pastaj iku.




