I ftuar në një bisedë televizive, Hoxha u ndal edhe te përplasja mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, pas akuzave të bëra nga ky i fundit lidhur me transferimin e tij në burgun e Fierit.
Sipas gazetarit, Veliaj nuk është paraqitur në seancën e sotme gjyqësore, pasi kundërshton të qëndrojë në kafaz dhe kërkon të jetë pranë avokatit të tij. Në vend të paraqitjes fizike, ai i ka drejtuar gjykatës një letër, ku ka përsëritur pretendimin se transferimi i tij është kryer me urdhër të kryeministrit.
Hoxha tha se gjykata e ka pranuar letrën dhe e ka orientuar Veliajn që të ndjekë rrugën ligjore për pretendimet e tij. Ai shtoi se, për të sqaruar rrethanat e transferimit, nevojitet një hetim nga prokuroria.
“Po, por përballë ka një supermashtues. Prej 48 orësh, Veliaj ndodhet në burgun e spitalit të Fierit, për shkak të një frakture që ka në këmbë. Sot kishte ditën e gjykimit, nuk u paraqit, pasi refuzon të qëndrojë në kafaz. Do të jetë pranë avokatit të tij. Sot Veliaj paraqiti një letër në gjykatë, duke e bërë më serioze atë që tha dje. Nëse dje pati një reagim publik, sot e paraqiti në gjykatë. Gjykata e pranoi letrën dhe i thotë: Drejtohu rrugës ligjore. Ka pranuar që Drejtoria e Burgjeve nuk e ka njoftuar. Është gjykata ajo që bën llogaritë. Pra, nëse dje menduan se mos pati një lajthitje, sot e bëri më të qartë: Jam transferuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama. E ka vënë në dijeni gjykatën. Që ne të vërtetojmë se çfarë ka ndodhur, duhet një hetim nga prokuroria. Si është e mundur që ministri ka shkuar në orën 10 e gjysmë të natës pa dijeninë e prokurorëve? Këtë nuk e ka bërë Sadleva në mendjen e vet”, u shpreh gazetari.
Gjatë bisedës, Hoxha dhe bashkëbiseduesit diskutuan edhe për marrëdhënien e dikurshme mes Veliajt dhe ministrit Toni Gogu, si dhe për trajtimin që u është bërë personave të tjerë të paraburgosur.
Gazetari e cilësoi si të rëndë akuzën e Veliajt ndaj Ramës, duke theksuar se pretendimi i tij tashmë është depozituar edhe në gjykatë dhe nuk ka mbetur vetëm në nivelin e një reagimi publik.













