Një 53-vjeçar ka humbur jetën në Bulqizë, pasi dyshohet se është sulmuar dhe kafshuar nga një ari. Ngjarja është bërë e ditur nga Policia, pasi familjarët e viktimës kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 14:10, Spitali i Bulqizës ka njoftuar Sallën Operative të Komisariatit të Policisë se familjarët e shtetasit me inicialet U.F., rreth 53 vjeç, kishin kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ai dyshohej se ishte sulmuar nga një kafshë e egër, konkretisht një ari.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar se 53-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Trupi i pajetë është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të sqaruar dhe dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Deri në përfundimin e hetimeve, dyshimi për sulmin nga ariu mbetet pjesë e informacionit paraprak të Policisë.


