Nën patronatin e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula, sonte është mbajtur festa tradicionale “Darka e Lamës”.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, presidentja theksoi rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite, e cila, sipas saj, lidh tokën me njeriun, punën me mirënjohjen dhe shtëpinë me mikun.
Ajo rikujtoi se në traditën shqiptare, përfundimi i të korrave dhe mbledhja e bereqetit shënonin një moment të veçantë, kur familjet dhe fqinjët mblidheshin rreth një tryeze për të shprehur mirënjohjen për frytet e punës.
Shiroka Pula tha se bereqeti nuk është vetëm fryt i tokës dhe i mundit të bujkut, por edhe shprehje e solidaritetit ndërmjet njerëzve dhe mikpritjes.
Ajo theksoi se në traditën shqiptare shtëpia e të zotit është edhe shtëpia e mikut, ndërsa buka e ndarë me të tjerët përfaqëson respektin dhe besimin.
Presidentja kujtoi gjithashtu se në vitin 2002, ish-presidenti Ibrahim Rugova e ngriti këtë traditë në nivel institucional, duke e shndërruar në simbol të falënderimit për tokën e Kosovës dhe njerëzit e saj.
Në fund, ajo bëri thirrje për ruajtjen dhe vazhdimin e kësaj feste tradicionale.
“Le ta mbajmë gjallë Darkën e Lamës dhe vlerat që ajo përfaqëson: mirënjohjen, solidaritetin, mikpritjen dhe respektin për punën e njerëzve tanë”, tha Shiroka Pula.