
Këngëtarja e njohur, Elsa Lila, ka reaguar me fjalë prekëse pas ndarjes nga jeta të dajës së saj, avokatit Saimir Vishaj, i cili u nda nga jeta sot, më 3 nëntor 2026, në moshën 60-vjeçare.
Elsa Lila, vajza e motrës së ndjerë të avokatit, përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur dhimbjen për humbjen e tij duke ndarë edhe një fotografi ku shfaqet pranë tij.
“Nuk mendoja kurrë që do të ndaja lajmin e ikjes tënde, Daja Saimir! Me hidhërim të thellë ju presim në Funeral Alba 2000 për përshëndetjen e fundit”, shkruan këngëtarja në mesazhin e saj.
Saimir Vishaj u nda nga jeta ditën e sotme, pasi prej disa ditësh ndodhej i intubuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje kritike për jetën.
Avokati ishte transportuar me urgjencë drejt spitalit pas një incidenti, ku dyshohet se kishte rënë nga shkallët. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetonte.
Vishaj ishte një prej emrave të njohur të avokatisë shqiptare. Karrierën e tij e kishte nisur në vitin 1998, ndërsa prej vitit 2009 drejtonte Shoqërinë e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë.
Gjatë karrierës profesionale, ai kishte mbajtur edhe disa funksione të tjera, mes tyre anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i Komitetit të Disiplinës dhe i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi.
Në gusht të vitit 2025, avokati kishte rrëfyer publikisht edhe një betejë të vështirë shëndetësore. Ai kishte kaluar një sëmundje të rëndë, që e kishte lënë në koma dhe të intubuar. Pas trajtimit mjekësor në Itali, Vishaj kishte arritur të rikuperohej.





