Një 30-vjeçar shqiptar, i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni në qytetin e La Rochelle në Francë, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, pasi gjykata ka rrëzuar kërkesën e tij për lirim. Prokuroria argumentoi se shqiptari paraqet rrezik arratisjeje, pasi ndodhet ilegalisht në Francë dhe dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara, duke u identifikuar si shtetas italian. Ai u arrestua më 16 tetor dhe u paraqit para gjykatës tre ditë më vonë, ndërsa për çështjen në themel pritet të merret vendim më 2 dhjetor.
Por dosja e 30-vjeçarit nuk përfundon me akuzën për shfrytëzim prostitucioni. Ndaj tij rezulton edhe një urdhërarrest ndërkombëtar i lëshuar përmes Interpolit më 13 dhjetor 2016, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, pasi dyshohet për tentativë vrasjeje në Shqipëri. Ai i ka mohuar këto akuza, duke pretenduar se bëhet fjalë për një gabim. Ndërkohë, për periudhën nga 1 janari 2023 deri më 7 tetor 2026, hetuesit dyshojnë se ai ka shfrytëzuar për prostitucion gruan me të cilën bashkëjetonte prej vitit 2022. Shqiptari mohon përfshirjen, duke deklaruar se nuk kishte dijeni për aktivitetin e saj dhe se ajo kishte vepruar në të njëjtën mënyrë edhe me dy bashkëshortët e mëparshëm.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet franceze po analizojnë telefonin e tij celular dhe po përpiqen të identifikojnë një tjetër grua që dyshohet se është shfrytëzuar në të njëjtin qytet. Përballë gjykatës, shqiptari pretendoi gjithashtu se ishte kërcënuar edhe brenda burgut, duke thënë se kishte pamje filmike që e provonin këtë. Megjithatë, këto pretendime nuk ndryshuan vendimin e gjykatës, e cila pranoi kërkesën e prokurorisë për vijimin e paraburgimit. Tashmë 30-vjeçari do të presë pas hekurave seancën e radhës, ndërsa mbi të rëndojnë dyshime dhe akuza për disa çështje të rënda.