Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar identifikimin e mbetjeve mortore të tre personave të tjerë, pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin, mbetjet mortore të të cilëve janë identifikuar pas gërmimeve të zhvilluara në Kalludër dhe Jabukë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale, duke sqaruar se identifikimi është konfirmuar pas pranimit të raporteve të reja të analizave të ADN-së nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

“Pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u informova se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri bëri të ditur se familjet e tre personave janë informuar tashmë për rezultatet e identifikimit, ndërsa shprehu ngushëllimet për humbjen e të afërmve të tyre.

Sipas Kurtit, tre intelektualët dhe veprimtarët e çështjes kombëtare ishin rrëmbyer nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999 dhe më pas ishin zhdukur me dhunë.

“Komisioni, bashkë me institucionet e tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka deklaruar Kurti.

Identifikimi i tre personave përbën një zhvillim të rëndësishëm në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ndërsa familjet vijojnë të presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb