Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kantonit të Bernës në Zvicër, Shasime Osmani, u ka përcjellë një mesazh të rinjve shqiptarë që po rriten në diasporë, duke i inkurajuar të ruajnë gjuhën shqipe, të mos harrojnë prejardhjen e tyre dhe të vazhdojnë përpara pavarësisht sfidave.

Në një intervistë për Telegrafin, Osmani ka folur drejtpërdrejt për vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë në diasporë, përfshirë racizmin dhe diskriminimin, duke theksuar se shpesh atyre u duhet të punojnë shumë më tepër për të pasur mundësi të barabarta, shkruan Telegrafi.


Ajo ka porositur brezin e ri që të mos e harrojë identitetin dhe gjuhën shqipe.

“Mësoni shqip, mos harroni nga keni prindërit. Unë e di se edhe ju përjetoni racizëm dhe e di se ju duhet dhjetë herë më shumë të bëni sesa të tjerët për t'i pasur të njëjtat shanse, por ia vlen! Ia vlen!”, ka deklaruar Osmani.

Deputetja shqiptare ka inkurajuar të rinjtë që të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë të ndjekin synimet e tyre, duke u shprehur optimiste se përpjekjet e tyre do të shpërblehen.

“Vazhdoni! Vazhdoni përpara, sepse nuk do të pendoheni që keni vazhduar përpara. Shpresoj që t'ia dilni edhe ju”, është shprehur ajo.



Në fund të intervistës, Osmani ka vënë theksin edhe te rëndësia e solidaritetit dhe mbështetjes mes shqiptarëve, duke rikujtuar se askush nuk duhet të ndihet i vetëm në sfidat me të cilat përballet.

“Mos harroni, s'jemi vetëm. E kemi njëri-tjetrin. Mbajeni përherë në mend se jemi me njëri-tjetrin, nuk jeni vetëm”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka përfunduar mesazhin e saj me thirrjen që të rinjtë të qëndrojnë të bashkuar dhe të vazhdojnë të luftojnë së bashku për një të ardhme me më shumë mundësi dhe barazi./Telegrafi/