Andrew Mountbatten-Windsor, ish-princi britanik dhe vëllai i mbretit Charles III, është thirrur zyrtarisht të dëshmojë në një proces gjyqësor për mashtrim që përfshin një biznesmen turk. Sipas Sky News, ai pritet të paraqitet para Gjykatës së Lartë rreth datës 15 dhjetor, personalisht ose përmes videokonferencës.

Andrew nuk akuzohet për asnjë shkelje penale dhe nuk është palë në proces. Ai është thirrur si dëshmitar nga biznesmeni Selman Turk, i cili po përballet me akuza për mashtrim nga një milionere turke.

Sipas raportimeve, kjo është një ngjarje e pazakontë për familjen mbretërore britanike, pasi Andrew besohet të jetë anëtari i parë i saj që nga shekulli XIX që merr një thirrje të tillë për të dëshmuar në gjykatë.

Çështja gjyqësore lidhet me pretendimet e Nebahat Isbilen, një milionere turke dhe bashkëshortja e një ish-politikani, e cila akuzon ish-këshilltarin e saj, Selman Turk, se e ka mashtruar dhe ka përdorur pasurinë e saj për përfitime personale.

Një prej pikave kryesore të procesit është një pagesë prej 750 mijë paundësh, e transferuar në vitin 2019 drejt ish-Dukës së Jorkut. Sipas dokumenteve gjyqësore, Isbilen pretendon se kishte besuar se kjo shumë do të përdorej për ta ndihmuar në marrjen e një pasaporte.

Megjithatë, Turk i mohon kategorikisht akuzat. Ai pretendon se pagesa ishte bërë me iniciativën e vetë Isbilenit, me qëllim krijimin e marrëdhënieve të mira me Andrew Mountbatten-Windsor, dhe se nuk kishte lidhje me çështjen e pasaportës.

Në dosjen gjyqësore përmendet edhe një tjetër transfertë prej rreth 768,743 paundësh, e kryer në janar të vitit 2020 nga llogaria e Isbilenit. Turk pretendon se kjo shumë ishte një kredi për Andrew, për blerjen e një vile në Zvicër. Një pretendim që është kundërshtuar nga milionerja turke.

Përfaqësuesit ligjorë të Turk kanë deklaruar se gjyqtari ka vlerësuar si relevante provat që biznesmeni synon të marrë nga dëshmia e Andrew, duke argumentuar se do të ishte e padrejtë të pengohej paraqitja e tyre gjatë procesit.

Ata kanë shtuar se klienti i tyre pret me padurim të mbrojë qëndrimin e tij në gjykatë.

Dëshmia e Andrew pritet të jetë përballja e tij e parë e rëndësishme publike me pyetjet e një procesi gjyqësor që nga intervista e famshme për BBC Newsnight në vitin 2019, ku ai u pyet për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein.

Procesi në Gjykatën e Lartë pritet të nisë më vonë gjatë këtij muaji, ndërsa dëshmia e ish-princit mund të hedhë më shumë dritë mbi transfertat financiare dhe marrëdhëniet e tij me biznesmenin turk.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb