Sot, nga ora 10:30 deri në orën 12:00, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, do të zhvillohet stërvitja e planifikuar e kërkim-shpëtimit “SAR-2026”, e organizuar nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH), në bashkëpunim me institucionet dhe strukturat përgjegjëse për reagimin ndaj emergjencave në rastet e aksidenteve ajrore.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes në stërvitje do të marrin pjesë Forcat e Armatosura, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), Policia e Shtetit, ALBCONTROL, Autoriteti Kombëtar i Investigimit për Sigurinë e Operimit në Aviacionin Civil (AKISA), Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe Kryqi i Kuq Shqiptar.
Stërvitja do të zhvillohet mbi bazën e një skenari të simuluar, që parashikon daljen e një avioni nga pista dhe përplasjen e tij jashtë rrethimit të aeroportit.
Qëllimi është testimi i procedurave të reagimit, koordinimit ndërinstitucional dhe angazhimit të njësive të kërkim-shpëtimit për evakuimin dhe shpëtimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit.
"Gjatë zhvillimit të stërvitjes, qytetarët mund të konstatojnë lëvizje të shtuar të automjeteve të emergjencës në zonën pranë aeroportit. Ministria e Mbrojtjes sqaron se bëhet fjalë vetëm për një stërvitje të planifikuar dhe se nuk ka asnjë emergjencë reale", thuhet më tej në njoftim.
Stërvitja synon rritjen e gatishmërisë operacionale, përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave pjesëmarrëse dhe forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e situatave të emergjencës në aviacionin civil.








Komente
Komento