Një 53-vjeçar nga Bulqiza është gjetur i pajetë ditën e djeshme në një zonë malore të këtij qyteti.
Fillimisht, dyshimet ishin se burri mund të ishte sulmuar nga një ari, për shkak të vendit ku u gjet trupi dhe rrethanave të ngjarjes. Megjithatë, pas transportimit të tij në Tiranë për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, hetimet kanë marrë një tjetër drejtim.
Sipas raportimeve, gjatë ekzaminimit të trupit është konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit, ndërsa në pjesën e gjoksit është gjetur edhe një predhë plumbi.
Ky detaj ka ngritur dyshimet se 53-vjeçari mund të jetë qëlluar me armë zjarri, duke e zhvendosur vëmendjen e grupit hetimor nga pista e sulmit të mundshëm të kafshëve të egra drejt asaj të një ngjarjeje kriminale.
Prokuroria dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vrasje dhe për të identifikuar personat që mund të kenë lidhje me ngjarjen.













