
Milani po përgatitet për një rikthim të rëndësishëm në historinë e tij, këtë herë jashtë fushës së blertë. Kuqezinjtë do të ndahen nga kompania Puma në fund të sezonit 2027/28 dhe do të rikthehen te gjiganti gjerman Adidas, me të cilin kanë përjetuar disa nga periudhat më të lavdishme të historisë së klubit.
Pronari i Milanit dhe drejtuesi i fondit RedBird, Gerry Cardinale, duket se po e merr seriozisht objektivin për ta rikthyer klubin në majat e futbollit europian. Duke marrë shkas nga slogani i Donald Trump, ai ishte shfaqur më herët me një kapele ku shkruhej “Make Milan Great Again” – “Ta bëjmë Milanin sërish të madh”.
Dhe një nga hapat e parë në këtë drejtim do të jetë pikërisht rikthimi i Adidas si sponsor teknik i klubit. Sipas raportimit të Sport Mediaset, marrëveshja mes palëve do të jetë historike për futbollin italian. Bëhet fjalë për një kontratë 10-vjeçare, me vlerë totale prej 500 milionë eurosh, ose rreth 50 milionë euro në sezon.
Kjo shifër e vendos Milanin në një pozicion shumë të favorshëm krahasuar me rivalët në Serie A. Marrëveshja e re parashikohet të jetë më e lartë se ajo që Adidas ka me Juventusin, si dhe kontrata e Interit me Nike, e cila kap vlerën e rreth 30 milionë eurove në sezon.
Për Milanin, ky është një përmirësim i ndjeshëm financiar, duke qenë se aktualisht nga Puma përfiton rreth 30 milionë euro në vit. Deri në vitin 2022, të ardhurat nga sponsori teknik ishin vetëm 14 milionë euro në sezon.
Përtej aspektit financiar, rikthimi te Adidas ka edhe një domethënie të veçantë për tifozët kuqezinj. Logoja e kompanisë gjermane në fanellën e Milanit lidhet me periudhat më të suksesshme të klubit, nga vitet ’70, te epoka e Arrigo Sacchit dhe Fabio Capellos në vitet ’90, e deri te triumfet në Champions League nën drejtimin e Carlo Ancelottit gjatë viteve 2000.
