Policia e Vlorës ka arrestuar Mariglen Dogën, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për të vuajtur pjesën e mbetur të një dënimi prej 20 vitesh burg për vrasje.
Sipas informacioneve paraprake, arrestimi është kryer në banesën e tij në Vlorë, ku efektivët e policisë kanë ndërhyrë për ekzekutimin e urdhrit ndërkombëtar të ndalimit. Pas arrestimit, pritet të nisin procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Italisë.
Mariglen Doga është dënuar nga Gjykata e Bolonjës me 20 vite heqje lirie, pasi është shpallur fajtor për vrasjen e një shtetasi shqiptar në vitin 2000, në qytetin e Ravenës.
Ai kishte vuajtur një pjesë të dënimit të dhënë nga drejtësia italiane, por nuk kishte shlyer të gjithë masën e përcaktuar. Në momentin e arrestimit, Dogës i kishin mbetur edhe gjashtë vite burg për të përfunduar dënimin, arsye për të cilën vijonte të kërkohej ndërkombëtarisht.
Emri i tij është përmendur edhe në disa çështje të tjera penale në Shqipëri. Doga është dënuar më herët me 10 vite burg për vrasjen e Isuf Gjonit në Vlorë.
Arrestimi i fundit i hap rrugë procedurave për dorëzimin e tij te autoritetet italiane, ku pritet të vuajë edhe pjesën e mbetur të dënimit prej gjashtë vitesh burg.














