Danimarkë, 149 persona mbajnë për katër muaj në mashtrim një komedian, përfshirë miqtë e tij

Një program televiziv danez ka ngjallur zemërim te publiku pasi komediani Rasmus Walbridge kaloi katër muaj duke besuar se po realizonte filmin që kishte ëndërruar prej kohësh. Në të vërtetë, ai ishte pjesë e një mashtrimi ku morën pjesë rreth 150 persona, mes tyre edhe miqtë e tij më të afërt.

Walbridge kishte pranuar një ofertë pune që i ishte dukur një mundësi e rrallë për karrierën. I bindur se ishte zgjedhur për një projekt të rëndësishëm filmik, ai iu përkushtua atij për katër muaj dhe qëndroi për periudha të gjata larg partneres dhe fëmijëve.

Të lidhura

None found

Projekti që komediani e mendonte si prodhim të mirëfilltë filmi ishte, në fakt, një mashtrim i organizuar nga televizioni danez TV 2 për programin “Everyone Loves Rasmus”.

Sipas British Mirror, në realizimin me kamera të fshehta u angazhuan gjithsej 149 persona: miq, të njohur, aktorë dhe profesionistë të televizionit. Secili ruajti sekretin dhe luajti rolin e vet për të mos i dhënë Walbridge arsye të dyshonte.

Ngjarja solli krahasime me filmin e vitit 1998 “The Truman Show”. Në atë film, personazhi i luajtur nga Jim Carrey nuk e di se jeton në një botë të krijuar artificialisht, ku familjarët, miqtë dhe fqinjët janë aktorë, ndërsa çdo çast i jetës së tij transmetohet për publikun.

Pas nisjes së transmetimit, shumë shikues e panë programin si diçka që i kalonte kufijtë e një shakaje televizive. Ata vunë në dukje se mashtrimi kishte zgjatur me muaj dhe kishte prekur drejtpërdrejt jetën personale e familjare të komedianit.

Në rrjetet sociale, shumë përdorues kërkuan që programi të ndërpritej menjëherë. Disa e përshkruan atë si ngacmim dhe manipulim psikologjik.

Kritikat u shtuan edhe për shkak se Walbridge kishte një fëmijë të porsalindur dhe kishte lënë mënjanë një pjesë të jetës familjare për projektin që e besonte të vërtetë.

Regjisori i programit e mbrojti fillimisht konceptin përballë reagimeve. Ai deklaroi se ishin marrë masa për të shmangur dëmtimin psikologjik të komedianit: sipas tij, një psikolog e kishte ndjekur projektin gjatë të katër muajve dhe Walbridge kishte marrë mbështetje edhe pasi mësoi të vërtetën.

Drejtuesit e prodhimit, nga ana e tyre, pretenduan se pas zbulimit të mashtrimit komediani kishte pasur mundësinë të mos lejonte publikimin e pamjeve televizive.

Këto shpjegime nuk e zbutën zemërimin e publikut. Sipas medias britanike, Walbridge nuk e priti mirë të vërtetën dhe më pas u tërhoq nga vëmendja publike.

Pas valës së kritikave, TV 2 e hoqi “Everyone Loves Rasmus” si nga transmetimi, ashtu edhe nga platforma e vet online.

Më 31 tetor 2026, drejtuesit e televizionit i kërkuan zyrtarisht falje Rasmus Walbridge dhe personave të përfshirë. Ata pranuan se produksioni nuk e kishte mbrojtur mjaftueshëm komedianin dhe se situata nuk duhej të kishte arritur deri në atë pikë.


Shtuar më 4.11.2026 09:49