
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kërkuar thirrjen urgjente të një mbledhjeje të Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, për të shqyrtuar trajtimin e të miturve gjatë protestave të ditëve të fundit dhe masat e reja të miratuara nga qeveria.
Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, i cili drejton edhe këtë grup parlamentar, Zhupa shpreh shqetësimin për raportimet mbi raste të dyshuara të ushtrimit të dhunës ndaj të miturve nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Ajo i referohet deklarimeve të ministrit të Brendshëm, sipas të cilave, deri më 30 tetor, 269 persona nën moshën 18 vjeç janë shoqëruar në polici.
“Asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë dhunën e paligjshme ndaj një të mituri apo cenimin e garancive që legjislacioni shqiptar dhe konventat ndërkombëtare i njohin atij”, shkruan Zhupa, duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë përtej ndarjeve politike.
Në kërkesën e saj, deputetja përmend edhe konstatimet paraprake të Avokatit të Popullit, ku janë evidentuar problematika lidhur me dokumentimin e procedurave, regjistrimin e të miturve, informimin e tyre për të drejtat, aksesin në ndihmë ligjore, si dhe pretendimet për dhunë gjatë ndërhyrjeve policore.
Zhupa ka kundërshtuar gjithashtu paketën e re të masave të qeverisë, ku përfshihet akti normativ për tubimet dhe përgjegjësia financiare e prindërve për dëmet e shkaktuara nga të miturit. Sipas saj, këto masa janë “dukshëm antikushtetuese” dhe duhet të vlerësohen në raport me interesin më të lartë të fëmijës, individualizimin e përgjegjësisë dhe proporcionalitetin.
Për mbledhjen, ajo propozon të thirren përfaqësues të Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Arsimit, si dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Në rendin e ditës, Zhupa kërkon paraqitjen e të dhënave të plota për 269 të miturit e shoqëruar në polici, verifikimin e pretendimeve për dhunë, shqyrtimin e respektimit të garancive procedurale, vlerësimin e masave të reja dhe hartimin e një plani veprimi me afate konkrete.
“Mbrojtja e fëmijëve nuk mund të jetë selektive dhe as e kushtëzuar nga bindjet politike të tyre apo të familjeve të tyre”, thekson Zhupa, duke kërkuar që mbledhja të zhvillohet me urgjencë.