Robert Lewandowski nuk e ka harruar dhe as nuk e ka kapërcyer zhgënjimin për anulimin e ceremonisë së “Topit të Artë” në vitin 2020. Këtë e ka zbuluar Pascal Ferré, ish-drejtuesi i revistës “France Football”, i cili në atë kohë ishte përgjegjës për organizimin e çmimit prestigjioz.
Në një intervistë për “Le Vestiaire”, Ferré e cilësoi anulimin e edicionit të vitit 2020 si një nga momentet më të vështira të karrierës së tij. Vendimi erdhi për shkak të pandemisë COVID-19 dhe ndërprerjeve të shumta të futbollit, që sipas organizatorëve nuk garantonin kushte të barabarta për vlerësimin e kandidatëve.
“Momenti më i vështirë ishte padyshim viti 2020, kur u detyruam të anulonim ‘Topin e Artë’. Mendonim se nuk ishin krijuar kushtet e nevojshme për një vlerësim të drejtë”, tregoi Ferré.
Ai zbuloi se kishte marrë përsipër t'ia komunikonte personalisht lajmin sulmuesit polak, i cili në atë periudhë po kalonte një formë të jashtëzakonshme me Bayern Munich.
“E telefonova, sepse po dominonte futbollin europian, por ai nuk arriti ta kuptonte plotësisht vendimin tonë. Edhe në vitet pasuese, sa herë që takoheshim, më thoshte: Ja ku është njeriu që nuk deshi kurrë të ma jepte një ‘Top të Artë’”, rrëfeu ish-drejtuesi i “France Football”.
Arsyet e zhgënjimit të Lewandowskit janë të kuptueshme po të shihet sezoni i tij i jashtëzakonshëm në vitin 2020. Me fanellën e Bayernit, polaku fitoi Champions League, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, duke shënuar 55 gola dhe dhënë 10 asistime në 47 ndeshje.
Ai ishte golashënuesi më i mirë si në Champions League, ashtu edhe në kampionatin gjerman, duke qenë një nga favoritët kryesorë për çmimin individual më të rëndësishëm në futboll.
Një vit më vonë, Lewandowski përfundoi në vendin e dytë në votimin për “Topin e Artë”, pas Lionel Messit. Megjithatë, as ky rezultat nuk e kompensoi mundësinë e humbur në vitin 2020, kur forma dhe trofetë e fituar e kishin vendosur sulmuesin polak në qendër të vëmendjes së futbollit botëror.
© SYRI.net
Luis Enrique shmang euforinë pasi PSG shkatërroi Villarrealin: Nuk jemi ende kampionë dhe as në finalen e Madridit
Thierry Henry reagon ashpër ndaj sulmit racist në Francë: Mund të kishte qenë vëllai im ose vajza ime
I përulur, i dashuruar pas futbollit, bashkëshort dhe baba i një vajze një vjeçe e gjysmë: Kush ishte Jesús de MiguelBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: