Lezhë, nis ndërtimi i pedonales së re/ Koçiu: Zhurma e së shkuarës s’ndal Shqipërinë e së ardhmes

Ka nisur investimi për ndërtimin e pedonales së re në Lezhë, një projekt me vlerë 62 milionë lekë nga buxheti i Bashkisë, i cili synon krijimin e një hapësire moderne rekreative në shërbim të qytetarëve dhe turistëve. Pedonalja pritet të përfundojë brenda verës së ardhshme, duke i shtuar qytetit një tjetër zonë publike për shëtitje dhe aktivitete sociale.
Punimet për projektin kanë nisur tashmë, ndërsa synohet transformimi i zonës në një hapësirë të aksesueshme për të gjitha grupmoshat, me ambiente të gjelbra dhe kënde çlodhëse.
Zv/kryeministrja Albana Koçiu ka bërë publike pamje nga kantieri i punimeve përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi projektin si një tjetër investim që do të ndikojë në gjallërimin e qytetit.
“Zhurma dhe rrëmuja e së shkuarës nuk mund ta ndalin punën për Shqipërinë e së ardhmes”, shkruan Koçiu.
“Pedonalja e re në Lezhë, një tjetër investim konkret që së shpejti do të gumëzhijë nga zërat e fëmijëve, shëtitjet e familjeve dhe hapat e mijëra turistëve që zgjedhin çdo vit bukuritë e këtij qyteti”, thekson ajo.
Sipas zv/kryeministres, projekti parashikon krijimin e një hapësire moderne me gjelbërim dhe ambiente rekreative, duke kontribuar në zhvillimin urban të qytetit dhe rritjen e atraktivitetit turistik.
Pedonalja e re pritet të ofrojë më shumë mundësi për shëtitje, aktivitete në natyrë dhe ndërveprim social, duke u kthyer në një pikë të rëndësishme për banorët dhe vizitorët.
Krahas këtij projekti, Bashkia Lezhë ka parashikuar edhe investime të tjera në infrastrukturë dhe hapësira publike, me fokus përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe krijimin e mjediseve më funksionale në shërbim të komunitetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




