Prezantohet sot në Bruksel raporti vjetor i KE-së për Shqipërinë, në fokus reformat dhe afatet e anëtarësimit

Politikë | 18 minuta më parë

Komisioni Evropian pritet të publikojë sot, rreth orës 13:00, Paketën e Zgjerimit për vitin 2026, ku pjesë e saj është edhe raporti vjetor për Shqipërinë. Dokumenti do të pasqyrojë ecurinë e reformave, përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, por edhe sfidat që vendi duhet të adresojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Për herë të parë, paketa pritet të shoqërohet edhe me udhërrëfyes konkretë për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, duke përcaktuar hapa dhe objektiva të mëtejshëm në procesin e integrimit.

Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani, në një raportim të drejtpërdrejtë nga Brukseli, bëri të ditur se komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, do të prezantojë raportet për vendet kandidate. Sipas saj, nga takimet e zhvilluara javët e fundit me përfaqësuesit evropianë nuk priten surpriza për ecurinë e Shqipërisë, por mbetet e rëndësishme ruajtja e ritmit të reformave.

“Raporti i progresit, sikurse e deklaroi edhe zonja Marta Kos gjatë takimeve me kryeministrin Edi Rama gjatë javëve të fundit, por edhe në vizitën e presidentes Von der Leyen në Tiranë, mbeten sfida të rëndësishme për vendin, sikurse është ruajtja e ritmit të integrimit”, tha ajo.

Ndër çështjet që pritet të marrin vëmendje të veçantë në raport janë reforma në administratën publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Gazetarja Shkodrani theksoi se Shqipëria ka marrë mbështetje në takimet me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për procesin e përafrimit të legjislacionit me atë të unionit, ndërsa sfidat mbeten të lidhura me zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve evropiane.

“Shqipëria ka marrë në të gjitha këto takime një mbështetje dhe një konfirmim të ecurisë së saj gjatë procesit të njohjes dhe përafrimit të legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian. Mbetet një sfidë e rëndësishme për vendin tonë përmirësimi i administratës publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ajo.

Në kuadër të procesit të integrimit, qeveria shqiptare synon të përmbyllë edhe një tjetër grupkapitull negociatash gjatë këtij viti, ndërsa objektivi i shpallur është mbyllja e të gjithë kapitujve deri në vitin 2027. Më pas, synohet përgatitja e vendit për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, me objektiv vitin 2030.

Publikimi i raportit të këtij viti pritet të japë një pasqyrë më të qartë mbi ecurinë e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit, detyrimet që mbeten për t’u përmbushur dhe hapat e mëtejshëm drejt objektivit të integrimit evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme