Bastoni sërish në planet e Barcelonës, Interi kërkon mbi 80 milionë euro

Alessandro Bastoni është rikthyer në vëmendjen e Barcelonës si kandidat për të përforcuar mbrojtjen, por pretendimet financiare të Interit e bëjnë tejet të vështirë afrimin e tij.

Për drejtorin sportiv Deco, mbrojtësi italian përbën zgjedhjen e parë për repartin e prapavijës. Edhe Hansi Flick e konsideron atë një profil që i përshtatet në mënyrë ideale mënyrës së tij të lojës.

Të lidhura

None found

Sipas raportimeve, përfaqësues të klubit katalunas kanë kontaktuar së fundmi agjentin e lojtarit, duke kërkuar të mësojnë se në çfarë kushtesh mund të kryhej një transferim.

Interi, megjithatë, pretendon më shumë se 80 milionë euro për kartonin e Bastonit, si për një marrëveshje në janar, ashtu edhe për një largim gjatë verës. Shuma e kërkuar e tejkalon ndjeshëm vlerësimin e tij në treg, që llogaritet në rreth 65 milionë euro.

Për këtë arsye, te Barcelona e shohin si thuajse të parealizueshëm transferimin në afatin kalimtar të janarit. Një pengesë më vete mbetet situata financiare e katalunasve, të cilët do ta kishin të vështirë të përballonin një shpenzim të tillë pa kryer fillimisht shitje të rëndësishme.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Interit nuk kanë motive sportive ose ekonomike për t’u ndarë me një prej futbollistëve kyç të skuadrës. Pozitën e tyre në bisedime e forcon edhe kontrata e Bastonit, e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2031.

Përpara se të shqyrtojë mundësinë e kalimit në një ambient tjetër, mbrojtësi 27-vjeçar kërkon gjithashtu siguri në aspektin sportiv nga Flick.

Vlerësimi i lartë që ka stafi teknik i Barcelonës për italianin lidhet me ndërthurjen e aftësive të tij teknike dhe fizike, që e lejojnë të funksionojë në një mbrojtje të pozicionuar lart në fushë.

I gjatë 1.90 metra, Bastoni bashkon forcën me shpejtësinë dhe zotësinë për të mbuluar hapësirat që krijohen pas vijës mbrojtëse.

Ndërhyrjet përpara, leximi paraprak i aksioneve të kundërshtarit dhe përballjet fizike janë të tjera pika të forta të tij, falë të cilave mbetet ndër shtyllat e repartit mbrojtës të Interit.

Gjatë muajit dhjetor, Barcelona pritet të vijojë komunikimin me përfaqësuesit e futbollistit, me synimin për të ndjekur nga afër çdo zhvillim lidhur me situatën e tij.

Nëse klubi nga Milano nuk pranon një ulje të ndjeshme të çmimit, katalunasve mund t’u duhet të braktisin pistën Bastoni dhe të kërkojnë zgjidhje të tjera për mbrojtjen.


Shtuar më 4.11.2026 10:55