Rikthimi i Mauro Icardit në San Siro nuk është në planet e Interit. Presidenti i klubit, Giuseppe Marotta, e ka përjashtuar mundësinë e afrimit të sulmuesit argjentinas, pavarësisht dëshirës që ky i fundit ka shprehur së fundmi për të veshur sërish fanellën zikaltër.
Pas largimit nga Galatasaray në përfundim të sezonit të kaluar, 33-vjeçari ka mbetur lojtar i lirë. Ai ka bërë të ditur se dëshiron të kthehet në Serie A, kampionat ku mbajti për shumë vite shiritin e kapitenit të Interit.
Të lidhura
None found
Për Marottën, megjithatë, skuadra nuk ka nevojë të shtojë një tjetër lojtar në repartin ofensiv. Ai sqaroi se as Icardi dhe as blerja e një sulmuesi të ri nuk përfshihen në projektet e klubit.
“Nuk kam dijeni nëse është vetofruar, por nga ana jonë sigurisht nuk ka pasur një propozim. Gjithsesi, është kënaqësi të dëgjosh fjalë të tilla nga një futbollist që ka kontribuar shumë për Interin. Për të qenë i sinqertë, ai nuk hyn në planet tona dhe po kështu nuk kemi në program të blejmë një sulmues tjetër”, u shpreh fillimisht presidenti.
Duke shpjeguar situatën në sulm, Marotta tha: “Në dispozicion kemi katër sulmues dhe rastësia ka bërë që të na mungojnë njëkohësisht të paktën tre. Kjo është thjesht çështje fati. Mund të krahasohet me dëmtimin e dy portierëve, kur më pas aktivizohet i treti. Është diçka normale, sepse nuk mund të mbash katër apo pesë portierë”.
Presidenti vlerësoi edhe ndikimin e trajnerit në këtë repart: “Mendoj se puna e Chivus në këtë drejtim është ndier. Të them të drejtën, shënimi i golave nuk përbën problem për ne dhe këtë e tregojnë edhe statistikat. Në Itali, vetëm Roma është më e frytshme se ne. Në Evropë prodhojmë disi më pak, por kjo ka të bëjë qartësisht edhe me nivelin e përgjithshëm të kundërshtarëve që ndeshim, të cilët, siç e përmenda, janë vërtet të spikatur”.
“Në fund të fundit, Chivu përfaqëson një trajner modern, të aftë të nxjerrë maksimumin nga secili futbollist. Njëkohësisht, ai di të ndërtojë një mënyrë loje që synon edhe shënimin e golave”, përfundoi Marotta.





