Dollari amerikan në rënie, tregjet financiare tronditen nga rezultati i zgjedhjeve në SHBA

04/11/2026 12:28

Tregjet globale të aksioneve shënuan rritje të mërkurën, ndërsa dollari amerikan u dobësua, pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.

Demokratët siguruan kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke shtuar shqetësimet e investitorëve për mundësinë e vendosjes së rregullave më të rrepta ndaj sektorit të inteligjencës artificiale.

Rezultati përbën një goditje të rëndësishme politike për presidentin Donald Trump, pasi demokratët arritën fitore të gjera edhe në zona që prej dekadash konsideroheshin bastione të republikanëve. Ky ndryshim i papritur në skenën politike amerikane duket se ka zënë në befasi edhe një pjesë të investitorëve.

“Demokratët arritën një fitore të dyfishtë të pa parashikuar në fillim të vitit. Kjo valë demokratike nënkupton se pushteti federal do të jetë i ndarë për shumicën e çështjeve”, deklaroi Deborah Cunningham, drejtuese e investimeve për tregjet globale të likuiditetit në Federated Hermes.

Sipas saj, ndarja e pushtetit zakonisht vështirëson miratimin e ligjeve të reja, një situatë që tregjet financiare tradicionalisht e shohin pozitivisht, pasi zvogëlon pasiguritë.

Sondazhet kanë treguar se votuesit demokratë mbështesin një kontroll më të madh mbi inteligjencën artificiale. Për këtë arsye, investitorët presin që Kongresi i kontrolluar nga demokratët të shtojë mbikëqyrjen ndaj këtij sektori.

Fillimisht, aksionet e kompanive të lidhura me inteligjencën artificiale në Azi pësuan rënie, ndërsa obligacionet dhe monedhat që konsiderohen investime të sigurta, si franga zvicerane, shënuan rritje.

Megjithatë, me publikimin e pjesës më të madhe të rezultateve zgjedhore, tregjet nisën të rimëkëmbeshin. Indeksi global MSCI All-World u rrit me 0.13%, ndërsa indeksi evropian STOXX 600 shënoi një rritje prej 0.5%.

Edhe kontratat e së ardhmes për aksionet amerikane kaluan në territor pozitiv, pasi gjatë natës kishin regjistruar rënie deri në 2%.

Ndërkohë, aksionet e kompanive Tesla dhe SpaceX, të lidhura me miliarderin Elon Musk, pësuan rënie prej rreth 4.5% deri në 5% në platformën evropiane Tradegate. Në krahasim, aksionet e kompanive të tjera të mëdha teknologjike shënuan rënie më të pakta, nga 0.3% deri në 0.9%.

“Deri tani, këto rezultate kanë pasur një ndikim relativisht të kufizuar në tregje. Investitorët do ta zhvendosin vëmendjen nga pasiguria e zgjedhjeve te ndikimi konkret i rezultatit në politikat ekonomike”, deklaroi Kathleen Brooks, drejtuese e kërkimeve në XTB.

Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka qenë një nga faktorët kryesorë të rritjes së tregjeve globale gjatë viteve të fundit. Investimet e mëdha të kompanive teknologjike në qendra të dhënash dhe kapacitete kompjuterike kanë bërë që investitorët të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj çdo mase që mund të ngadalësojë zgjerimin e këtij sektori.

Rezultati i zgjedhjeve mund të ndikojë gjithashtu në politikat fiskale të Shteteve të Bashkuara, si dhe në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, përfshirë mbrojtjen, shëndetësinë dhe sistemin bankar.

Ndërkohë, kontratat e së ardhmes për indeksin Russell 2000, që përfshin kompani më të vogla dhe është më i lidhur me ekonominë e brendshme amerikane, u rritën me 0.7%, pasi më herët kishin shënuar një rënie prej 1%.

Top Channel