Macron uron Shiroka Pulën dhe thekson partneritetin historik të Francës me Kosovën

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar një letër urimi Justinës Shiroka Pula për marrjen e detyrës si Presidente e Republikës së Kosovës.

Krahas urimeve për zgjedhjen e saj, Macron shprehu shpresën që Kosova të rifillojë përparimin në fushat që lidhen me perspektivën e saj evropiane. Ai kujtoi takimin me kryeministrin Albin Kurti në Paris, në mars të këtij viti, dhe e cilësoi Francën partnere historike të Kosovës.

Të lidhura

None found

Presidenti francez u shpreh i kënaqur që vizita në Kosovë e ministrit të deleguar përgjegjës për Evropën bëri të mundur nënshkrimin e marrëveshjeve të reja mes dy vendeve gjatë korrikut. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe rikonfirmoi mbështetjen e Francës për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Letra e plotë:

E nderuara zonja Presidente,

Me rastin e zgjedhjes suaj Presidente e Republikës së Kosovës, ju përcjell urimet e mia më të përzemërta.

Uroj që zgjedhja juaj t’i japë sërish shtysë përparimit në fushat e lidhura me perspektivën evropiane të vendit tuaj. Ju jeni në dijeni të përkushtimit tim për ribashkimin e kontinentit evropian, një synim që do të ndihmojë në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Këtë qëndrim pata mundësi ta përsëris edhe gjatë takimit me Kryeministrin, z. Kurti, në Paris, në marsin e kaluar.

Mes Francës dhe Kosovës ekziston një partneritet historik. Më gëzon fakti që vizita e ministrit të deleguar përgjegjës për Evropën në vendin tuaj solli, në korrik, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja ndërmjet dy vendeve tona.

Dua të theksoj, në fund, se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka rëndësi thelbësore. Korniza për këtë proces përcaktohet nga Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit. Franca do të vijojë ta mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian; tani të dyja palët duhet t’i përmbushin zotimet që kanë marrë.

Pranoni, e nderuara zonja Presidente, konsideratën time më të lartë.

Emmanuel Macron, President i Republikës Franceze


Shtuar më 4.11.2026 12:58