Kryenegociatori i Iranit në bisedimet me SHBA-në ka deklaruar se amerikanët i kanë thënë "JO LUFTËS", pasi Partia Republikane e Presidentit Donald Trump pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e mesmandatit. "Ne e mbështesim këtë mesazh," shkroi në platformën X kryetari i parlamentit, Mohammed Bagher Ghalibaf. "Nëse qeveria e SHBA-së tradhton vullnetin e publikut të saj për t'u shërbyer financuesve dhe shantazhuesve ndërkombëtarë, atëherë do të mësojë se 'JO'-ja jonë shoqërohet nga një makth," paralajmëroi ai. Të martën, Trump pranoi se rezultatet e dobëta të kandidatëve republikanë për Kongres ishin pjesërisht pasojë e luftës dhe rritjes së çmimeve të karburanteve që lidhet me të. Megjithatë, ai këmbënguli se nuk pendohet për nisjen e një sulmi të përbashkët me Izraelin kundër Iranit në muajin shkurt. Në një intervistë për Fox Neës, duke iu referuar rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, Trump tha: "Besoj se një pjesë e kësaj lidhet me Iranin. Njerëzit bien dakord me qasjen time ndaj Iranit, por ndoshta nuk ishin të gatshëm të përballonin pasojat afatshkurtra, siç është pagesa e një çmimi më të lartë për karburantin, këtë e kuptoj." Në një prononcim të veçantë për CBS Neës Trump deklaroi se konflikti do të marrë fund "kur të them unë se ka marrë fund". Gjatë javëve të fundit, presidenti ka paralajmëruar se SHBA-ja dhe Izraeli mund t'i rikthehen një lufte gjithëpërfshirëse pas zgjedhjeve të mesmandatit, nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin për t'i dhënë fund konfliktit.