Progres-Raporti i KE për Shqipërinë 2026/ Kritika për Kuvendin, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe lirinë e medias, SPAK vlerësohet për luftën kundër korrupsionit
Komisioni Europian në Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, ndalet në dy pjesë të dokumentit te zhvillimet që lidhen me çështjen e ish-zwvendwskryeministres Belinda Ballukut. Raporti i referohet pezullimit të saj nga detyra, ngërçit politik dhe institucional që pasoi, si dhe reagimeve negative ndaj Gjykatës së Posaçme dhe SPAK.
Në seksionin “Qeverisja”, Komisioni Europian e lidh vendimin e nëntorit 2025 për pezullimin e zëvendëskryeministres me ngërçin politik dhe institucional tremujor që i parapriu riorganizimit të qeverisë në shkurt 2026.
“Një riorganizim i konsiderueshëm i qeverisë, që përfshiu shtatë ministra, u zhvillua në shkurt 2026, pas një ngërçi politik dhe institucional tremujor. Ky ngërç nisi me vendimin e Gjykatës së Posaçme, në nëntor 2025, për të pezulluar zëvendëskryeministren nga detyra, në kuadër të një hetimi për shkelje të dyshuara të barazisë së pjesëmarrjes në tenderët publikë”, thuhet në raport.
Menjëherë pas këtij paragrafi, Komisioni Europian evidenton retorikën e përdorur nga shumica qeverisëse dhe opozita ndaj gjyqësorit, duke ngritur shqetësime për ndarjen e pushteteve.
“Gjatë periudhës së raportimit, si shumica qeverisëse, ashtu edhe partia kryesore opozitare përdorën retorikë që diskreditonte gjyqësorin ose anëtarë të veçantë të tij. Kjo ngre shqetësime për ndarjen e pushteteve”, theksohet në dokument.
Çështja trajtohet sërish në faqen 29 të raportit, këtë herë në pjesën që lidhet me pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Në këtë paragraf, Komisioni Europian i referohet pezullimit të “një zyrtari të lartë” nga Gjykata e Posaçme dhe kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar.
Sipas raportit, këto zhvillime shkaktuan reagime të konsiderueshme negative nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK dhe institucioneve gjyqësore.
“Pezullimi i një zyrtari të lartë, i urdhëruar nga Gjykata e Posaçme, si dhe kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar të këtij zyrtari, shkaktuan reagime të konsiderueshme negative nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK dhe institucioneve gjyqësore.
Në disa çështje të profilit të lartë, politikanët kritikuan gjithashtu Gjykatën Kushtetuese, duke vënë në pikëpyetje autoritetin e saj ose duke sulmuar verbalisht gjyqtarë të veçantë, gjë që përbën shqetësim.
Institucionet vetëqeverisëse të gjyqësorit kanë treguar qëndrueshmëri, duke lëshuar deklarata publike dhe duke denoncuar presionin politik. Tetë magjistratë janë vendosur nën mbrojtje, përfshirë dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë”, thuhet në raport.
Top Channel