Ambasada amerikane në Tiranë me anë të një njoftimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se SHBA-ja ka investuar më shumë se 40 milionë dollarë për forcimin e sigurisë kibernetike në Shqipëri, me synimin për të përballuar kërcënimet digjitale të sponsorizuara nga shtete të huaja.
Në mesazhin e ambasadorit Eric Wendt gjatë Konferencës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike ai vlerësoi progresin e Shqipërisë në qëndrueshmërinë digjitale dhe trajnimin e ekspertëve përmes bashkëpunimit me SHBA-në, përfshirë programin CyberNext.
Ky njoftim i Ambasadës amerikane që flet për tranformim dixhital vjen në një kohë kur institucionet që administrojnë këtë sektor janë të përfshirë nga skandale të njëpasnjëshme.
Në qendër është AKSHI, i përfshirë në një dosje të rëndësishme të SPAK-ut, ku po hetohen dyshime për manipulim tenderash, favorizim kompanish dhe presion ndaj operatorëve ekonomikë.
Në këtë çështje janë përfshirë biznesmeni Ergys Agasi, i arrestuar në kuadër të hetimeve, si dhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitjeje.
Pra, ndërsa Ambasada Amerikane vlerëson investimet dhe progresin teknologjik të Shqipërisë, lind pyetja se sa përputhet ky imazh me realitetin e institucioneve që menaxhojnë miliona euro të taksapaguesve shqiptarë.














