Edi Rama ka reaguar pas publikimit të Raportit Vjetor të Progresit të Komisionit Europian, i cili evidentonte një sërë problematikash që vijojnë të pengojnë konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe afrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, për Edi Ramën, ky vlerësim për Shqipërinë është më i larti i regjistruar ndonjëherë.
Rama e ka paraqitur raportin si një dëshmi të progresit të vendit dhe si një sinjal inkurajues për procesin e negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa ka vijuar me propagandën se dera e BE-së është e hapur dhe se mundësia e anëtarësimit është më reale se kurrë.
“Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë. Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane. Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian.
Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën. Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë. Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë. Momenti është optimal.
Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj. Kokën lart dhe përpara Shqipëria”, shprehet Rama.














