
Real Madridi ka bërë një lëvizje të veçantë jashtë fushës së futbollit. Bordi drejtues i klubit madrilen ka miratuar propozimin për emërimin e Rafael Nadalit si anëtar të ri të tij. Vendimi pritet të marrë edhe miratimin përfundimtar nga Asambleja e Përgjithshme e Përfaqësuesve.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi përmes një komunikate zyrtare. Nadal, i cili është anëtar nderi i Real Madridit dhe mban numrin e anëtarësisë 67.778, konsiderohet një nga figurat më të mëdha të sportit botëror dhe një prej sportistëve spanjollë më të vlerësuar ndërkombëtarisht.
Në njoftimin e tij, klubi shpreh krenarinë për afrimin e një personaliteti si Nadal në strukturat drejtuese, duke vlerësuar jo vetëm sukseset e tij sportive, por edhe karakterin dhe angazhimin humanitar.
Karriera e tenistit spanjoll është e jashtëzakonshme. Ai ka fituar 92 tituj në turnetë individualë, mes tyre 22 trofe Grand Slam, si dhe dy medalje të arta olimpike. Nadal ka triumfuar gjithashtu pesë herë në Kupën Davis me kombëtaren e Spanjës dhe ka qenë për një periudhë të gjatë në krye të renditjes botërore.
Megjithatë, për Real Madridin, vlera e tij shkon përtej trofeve dhe rekordeve. Klubi veçon shpirtin e garës, vendosmërinë për t’u përmirësuar, përulësinë, respektin ndaj kundërshtarëve dhe shokëve të tij, si dhe përkushtimin ndaj kauzave humanitare. Sipas drejtuesve madrilenë, këto janë vlera që përputhen plotësisht me identitetin dhe filozofinë e Real Madridit.
