Komisioni Europian vlerëson progresin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit. Raporti vjetor i publikuar këtë të mërkurës evidenton përmbushjen e kritereve të ndërmjetme të kërkuara gjatë negociatave të anëtarësimit në grup kapitujt që lidhen me çështjet themelore, përfshirë drejtësinë, të drejtat dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Komisioni Europian vlerëson përparimin në reformën në drejtësi, përfundimin e procesit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe rezultatet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe sidomos ndaj krimit të organizuar. Pozitivisht vlerësohet edhe ecuria e ekonomisë, rritja e turizmit dhe reformat në sektorët kyçë, që nga energjia, arsimi dhe sistemi bankar.