E mërkurë, 4 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndryshojnë procedurat e marrjes së patentës, ja çfarë duhet të dini
Lajme

Ndryshojnë procedurat e marrjes së patentës, ja çfarë duhet të dini

Marrja dhe rinovimi i lejes së drejtimit në Shqipëri do të kalojnë përmes një procedure të re kontrolli mjekësor, ku përveç ekzaminimeve fizike do të verifikohet edhe historiku shëndetësor i aplikantëve. Ndryshimet parashikohen në udhëzimin nr. 644 të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili përcakton një proces të dokumentuar elektronikisht dhe shkëmbimin automatik të të dhënave me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Procedura do të nisë te mjeku i familjes. Ky i fundit do të konfirmojë identitetin e qytetarit, pagesën e shërbimit dhe do të shqyrtojë kartelën e tij shëndetësore, qoftë në format fizik apo elektronik, si dhe rezultatet e ekzaminimeve të mëparshme.

Në vëmendje edhe shëndeti mendor dhe përdorimi i substancave

Një nga elementet e reja të procedurës është verifikimi i të dhënave mbi historikun mjekësor të aplikantit, përfshirë informacionin që lidhet me shëndetin mendor dhe përdorimin e substancave psikoaktive.

Kur vlerësimi i aftësisë për drejtimin e automjetit e bën të nevojshme, mjeku i familjes mund të kërkojë informacion shtesë nga institucionet publike shëndetësore që disponojnë dokumentacion për trajtime të mëparshme.

Megjithatë, udhëzimi vendos një dallim të rëndësishëm: sëmundjet e kaluara, për të cilat pacienti është shëruar, nuk duhet të trajtohen njësoj si problemet shëndetësore që janë ende aktive. Po ashtu, diagnozat që nuk janë konfirmuar nuk mund të konsiderohen si fakte të mirëqena.

Pas këtij vlerësimi, aplikanti do të dërgohet te mjekët specialistë për kontrollet e shikimit dhe dëgjimit. Rezultatet do të regjistrohen në formularë elektronikë, ku do të pasqyrohen edhe kufizimet e mundshme në rast se konstatohen probleme që ndikojnë në drejtimin e automjetit.

Komisioni mjekësor vendos për aftësinë e drejtimit

Nëse gjatë kontrolleve evidentohen probleme të veçanta shëndetësore ose lindin dyshime të arsyeshme për aftësinë psikofizike të aplikantit, çështja do të kalojë për shqyrtim pranë Komisionit Mjekësor.

Pas analizimit të dokumentacionit dhe ekzaminimeve, Komisioni mund të marrë një nga tre vendimet: qytetari është i aftë për drejtimin e automjetit, i aftë me kufizime ose i paaftë për të drejtuar.

Në varësi të gjendjes shëndetësore, mund të vendosen edhe afate më të kufizuara vlefshmërie për lejen e drejtimit, në përputhje me kriteret ligjore.

Dokumentet kalojnë në sistem elektronik

Ndryshimi tjetër lidhet me mënyrën e administrimit të dokumentacionit. Certifikatat dhe formularët mjekësorë do të plotësohen dhe nënshkruhen elektronikisht nga mjekët, ndërsa rezultati përfundimtar do t’i përcillet drejtpërdrejt DPSHTRR-së përmes sistemeve shtetërore të ndërveprimit.

Edhe qytetarët do ta marrin dokumentin përfundimtar të kontrollit mjekësor nëpërmjet platformës e-Albania. Synimi është eliminimi i dorëzimit fizik të dokumenteve nga një institucion te tjetri dhe shkurtimi i procedurave administrative.

Udhëzimi përcakton gjithashtu detyrime për ruajtjen, arkivimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe shëndetësore të aplikantëve. Ndërkohë, tarifat e kontrolleve mjekësore do të vijojnë të zbatohen sipas akteve në fuqi dhe institucionet shëndetësore duhet t’i bëjnë ato publike për qytetarët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.