Prishtina ka shënuar fitore të rëndësishme në ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë të Albi Mall Superligës, duke e mposhtur kampionen në fuqi, Dritën, me rezultat 2:1, në përballjen e zhvilluar të mërkurën në Gjilan.
Bardhekaltrit e kryeqytetit kaluan herët në epërsi me golin e Blend Baftiut, ndërsa skuadra vendase reagoi në minutën e 19-të, kur Blerim Krasniqi realizoi për 1:1. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Prishtina arriti të shënojë edhe golin e fitores. Autor i tij ishte Ardian Hasani, i cili realizoi me kokë për 2:1. Goli u konfirmua pas rishikimit të situatës përmes sistemit VAR.
Kjo ndeshje ishte shtyrë për shkak të angazhimit të Dritës në garat evropiane.
Këto dy skuadra ishin përballur edhe më 25 tetor, në ndeshjen e zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku Drita kishte triumfuar me rezultat 3:0.
Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në pozitën e parë të renditjes me 29 pikë, dy më shumë se Malisheva, ndërsa Drita mbetet në vendin e tretë me 23 pikë.
