‘Ditët më të vështira të jetës sime’/ Owono thyen heshtjen pas vdekjes së Jesus de Miguel: Ndjej dhimbje të thellë për humbjen e tij

04/11/2026 18:10

‘Janë ditët më të vështira të jetës sime. Nuk mund të gjej dot fjalët dhe e kam shumë të vështirë të përpunoj gjithçka ka ndodhur. Ndjej një dhimbje të madhe për humbjen e Jesus. Mendimet e mia shkojnë për të, familjen e tij dhe të gjithë personat që e kanë dashur’-portieri i FC Andorra, Jesus Owono ka thyer më në fund heshtjen pas ngjarjes tragjike të ndeshjes mes Tenerifes dhe FC Andorrës ku ai për fat të keq u bë protagonist pasi goditja e fortë e tij në përplasje provokoi vdekjen e sulmuesit të Tenerifes.

Ishte klubi i FC Andorrës që përmes një komunikate për shtyp publikoi mesazhin e portierit nga Guinea Ekuatoriale.

‘E di që do të ketë shumë pyetje për t’u bërë dhe do të përballoj gjithçka që do të vijë më pas me respektin maksimal-vijon mesazhi i Owonos-por në këtë moment, që të jem i sinqertë, nuk arrij dot të mendoj për gjë tjetër veçse për Jesus dhe dhimbjen që po përjetojmë. U prehsh në paqe, Jesus!’.

Ndërkaq vetë klubi i Andorrës kërkoi ndjeshëmërinë dhe respektin maksimal, ndërsa përpara nisjes së seancës stërvitore, skuadra mbajti edhe 1 minutë heshtje në nder të kujtimit të Jesus de Miguel

Policia spanjolle ka hapur një hetim për një vrasje të mundshme pa dashje pas vdekjes së sulmuesit të Tenerifes. Sipas ligjit në Spanjë, vdekjet për shkaqe jo natyrale duke përfshirë edhe incidentet, janë objekt hetimesh. Por ndërkaq, sipas prokurorisë, është shumë e vështirë që në rastin e Owonos të ketë një procedim penal duke qenë se goditja ndodhi gjatë një aksioni në fushën e lojës.

Pas lajmit tronditës, portieri i FC Andorrës vendosi të mbyllë llogarinë e tij në rrjetin social Instagram

 

Top Channel