Demokratët kanë marrë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, duke e vendosur Donald Trumpin përballë një periudhe të vështirë politike gjatë dy viteve të mbetura të mandatit të tij.
Megjithatë, sipas Reuters, presidenti amerikan nuk synon të lejojë që kjo humbje t’i bllokojë qeverisjen. Bashkëpunëtorët e tij kanë hartuar paraprakisht një plan emergjence, përmes të cilit Trump pritet të vijojë zbatimin e axhendës së tij edhe pa mbështetjen e shumicës në Kongres.
Të lidhura
None found
Strategjia përfshin pesë drejtime kryesore. Një prej tyre është vendosja e tarifave të reja, me fokus të veçantë te tokat e rralla dhe turbinat e erës. Në arenën ndërkombëtare, administrata synon të ruajë nismën në marrëdhëniet e jashtme dhe në çështjet ushtarake.
Për emigracionin nuk parashikohet zbutje e politikave. Përkundrazi, pritet të vijojë forcimi i masave migratore, si edhe ashpërsimi i rregullave për vizat e punës dhe të studimit.
Në fushën ekonomike, plani parashikon ndërhyrje në industri dhe në raportet tregtare, ndërsa agjencitë federale mund t’i nënshtrohen një riorganizimi. Synimi është që Trump të mbështetet sa më shumë te vendimet presidenciale, kompetencat ekzekutive dhe fondet e miratuara më herët, pa kërkuar autorizim të ri nga Kongresi.
Raportimi i Reuters thekson se Shtëpia e Bardhë ka përgatitur edhe mekanizma për t’i mbrojtur këto vendime nga sfidat në gjykata dhe nga hetimet që demokratët mund të nisin.
Demokratët pritet të hetojnë pasurimin e Trumpit dhe familjes së tij, deportimet masive të emigrantëve, si edhe abuzimet e dyshuara të zyrtarëve të administratës. Në fokus të veçantë mund të jetë kreu i Pentagonit, Pete Hegseth. Përplasja mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit mund të çojë në një ngërç politik.
Edhe pse Trump po përshkruhet si një “rosë e calë”, shprehje që përdoret për një president ende në detyrë, por me ndikim politik të kufizuar, ai ruan të drejtën e vetos. Përmes saj, presidenti mund të pengojë nismat e demokratëve.







