Një stërvitje e rëndësishme kërkim-shpëtimi është zhvilluar sot, më 4 nëntor, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, stërvitja “SAR-2026” është zhvilluar nga ora 10:30 deri në orën 12:00 dhe organizohet nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për reagimin ndaj emergjencave ajrore.

Në këtë operacion të simuluar janë angazhuar Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Aeroporti i Tiranës (TIA), ALBCONTROL, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Kryqi i Kuq Shqiptar dhe institucione të tjera përgjegjëse për sigurinë e aviacionit civil.

Skenari i stërvitjes parashikoi daljen e një avioni nga pista dhe përplasjen e tij jashtë rrethimit të aeroportit. Përmes këtij simulimi u testuan reagimi i strukturave përkatëse, koordinimi ndërinstitucional, si dhe procedurat për evakuimin dhe shpëtimin e pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit.

Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se bëhet fjalë për një stërvitje të planifikuar dhe se nuk ka asnjë situatë emergjente reale.

Stërvitja “SAR-2026” synon rritjen e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e aksidenteve dhe situatave të emergjencës në aviacionin civil.

Njoftimi:

Sot, më datë 4 Nëntor 2026, nga ora 10:30 deri në orën 12:00, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, do të zhvillohet stërvitja e planifikuar e kërkim-shpëtimit “SAR-2026”, e organizuar nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH), në bashkëpunim me institucionet dhe strukturat përgjegjëse për reagimin ndaj emergjencave në rastet e aksidenteve ajrore.

Në stërvitje do të marrin pjesë Forcat e Armatosura, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), Policia e Shtetit, ALBCONTROL, Autoriteti Kombëtar i Investigimit për Sigurinë e Operimit në Aviacionin Civil (AKISA), Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe Kryqi i Kuq Shqiptar.

Stërvitja do të zhvillohet mbi bazën e një skenari të simuluar, që parashikon daljen e një avioni nga pista dhe përplasjen e tij jashtë rrethimit të aeroportit. Qëllimi është testimi i procedurave të reagimit, koordinimit ndërinstitucional dhe angazhimit të njësive të kërkim-shpëtimit për evakuimin dhe shpëtimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Gjatë zhvillimit të stërvitjes, qytetarët mund të konstatojnë lëvizje të shtuar të automjeteve të emergjencës në zonën pranë aeroportit. Ministria e Mbrojtjes sqaron se bëhet fjalë vetëm për një stërvitje të planifikuar dhe se nuk ka asnjë emergjencë reale.

Stërvitja synon rritjen e gatishmërisë operacionale, përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave pjesëmarrëse dhe forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e situatave të emergjencës në aviacionin civil.

Ministria e Mbrojtjes falënderon qytetarët për mirëkuptimin!

Top Channel