Shqipëria pritet të kursejë miliarda lekë përmes zgjerimit të pagesave elektronike dhe uljes së përdorimit të parasë fizike. Sipas një studimi të përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, zëvendësimi i gjysmës së pagesave të faturave me para në dorë me pagesa elektronike do t’u kursente konsumatorëve mbi 500 milionë lekë dhe bizneseve rreth 1 miliard lekë në vit.
Këto shifra u bënë publike nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë konferencës së 8-të ndërkombëtare për skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut financiar me vlerë të vogël, që zhvillohet në Tiranë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Shoqatën Evropiane të Pagesave me Kartë.
Një nga projektet kryesore që pritet të përshpejtojë këtë transformim është TIPS Clone, një infrastrukturë që do të mundësojë transferta të menjëhershme parash, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Sipas Sejkos, sistemi pritet të vihet në funksion brenda këtij viti, duke u dhënë qytetarëve akses të menjëhershëm në fondet e tyre dhe bizneseve mundësi për arkëtime më të shpejta e administrim më efikas të likuiditetit.
“Lidhur me përfitimet ekonomike të TIPS Clone, sipas një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë, përdorimi i pagesave elektronike, i mbështetur nga infrastruktura e pagesave të menjëhershme, mund të gjenerojë deri në 38.7 miliardë lekë kursime në vit, ose rreth 1.5% të PBB-së. Ndërkohë, zëvendësimi i gjysmës së pagesave të faturave me para në dorë me pagesa elektronike mund t’u kursejë konsumatorëve mbi 500 milionë lekë dhe bizneseve rreth 1 miliard lekë në vit”, theksoi Sejko.
Guvernatori nënvizoi se rëndësia e kësaj infrastrukture nuk qëndron vetëm te shpejtësia e transfertave, por edhe te mundësitë që krijon për shërbime të reja, zgjerimin e pagesave elektronike dhe digjitalizimin e aktivitetit ekonomik. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Bankën e Italisë dhe partnerët evropianë, duke e cilësuar atë të rëndësishëm për afrimin e rajonit me infrastrukturat dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Sejko solli në vëmendje edhe progresin e Shqipërisë në përdorimin e pagesave digjitale. Numri i tyre për frymë ka arritur në 29 në vit, nga vetëm 5 një dekadë më parë, ndërsa rritja vjetore është rreth 25%. Kartat bankare në qarkullim kanë arritur në 1.6 milionë dhe, gjatë vitit 2025, për herë të parë, ato u përdorën më shumë për pagesa sesa për tërheqjen e parasë fizike.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është anëtarësimi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), që sipas guvernatorit përbën një arritje në rrugën e integrimit financiar evropian. Falë këtij anëtarësimi, transfertat në euro drejt vendeve pjesëmarrëse kushtojnë deri në 20 herë më pak se përpara anëtarësimit, ndërsa kursimet e pritshme për ekonominë shqiptare vlerësohen në mbi 71 milionë euro në vit.
Këto përfitime lehtësojnë tregtinë, dërgimin e remitancave dhe nxisin përdorimin e kanaleve formale në ekonomi. Megjithatë, Sejko theksoi se zgjerimi i shërbimeve digjitale duhet të shoqërohet me masa për forcimin e sigurisë, mbrojtjen e të dhënave, qëndrueshmërinë operacionale dhe parandalimin e mashtrimeve. Ai veçoi gjithashtu rëndësinë e edukimit dhe përfshirjes financiare, në mënyrë që shërbimet e reja të jenë të kuptueshme dhe të aksesueshme për të gjitha grupet e shoqërisë.
Në konferencë morën pjesë 260 përfaqësues të autoriteteve publike, bankave qendrore, institucioneve financiare dhe industrisë së pagesave nga 85 vende të botës. Në kuadër të aktivitetit, Sejko zhvilloi edhe një takim me drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, dhe përfaqësues të tjerë të institucionit.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi mes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, veçanërisht mbështetja për projektin TIPS Clone dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave. Palët diskutuan edhe mundësitë për zgjerimin e asistencës teknike në fusha si mbikëqyrja bankare.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan progresin e Shqipërisë në integrimin financiar evropian, duke veçuar anëtarësimin në SEPA, avancimin e projektit TIPS Clone dhe përfundimin me sukses të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). Ata përgëzuan gjithashtu Bankën e Shqipërisë për hartimin dhe miratimin e kuadrit ligjor e rregullativ në përputhje me standardet evropiane.


