Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi pëson debakël, demokratët marrin kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve

Donald Trump

Demokratët kanë marrë kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke marrë fituar shumicën në Kongres për pjesën e mbetur të presidencës së Donald Trumpit.

Zgjedhjet e mesit të mandatit, të cilat përfunduan të martën, pasqyruan pakënaqësinë e thellë të votuesve për çmimet e larta, luftën në Iran dhe shqetësimet lidhur me korrupsionin në qeveri.

Rezultatet: Senati - Dhoma e Përfaqësuesve

 

Kontrolli demokratik i Kongresit do të ndryshojë rrënjësisht dy vjetët e fundit të mandatit të Trumpit dhe pritet t'ia vështirësojë zbatimin e agjendës së tij, përfshirë edhe synimin për të ruajtur orientimin konservator të Gjykatës Supreme.

Trumpi është zotuar se do ta përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar agjendën e demokratëve, duke paralajmëruar mundësinë e një bllokade politike në Uashington.

Demokratët ndoqën një rrugë të jashtëzakonshme drejt fitores në Senat, duke arritur sukses edhe në disa prej shteteve më konservatore të vendit.

Josh Turek mposhti përfaqësuesen Ashley Hinson në Iowa, ndërsa Adam Hamilton mundi senatorin Roger Marshall në Kansas, si pjesë e një vargu fitoresh befasuese. James Talarico mposhti Ken Paxton në Teksas, Annie Andrews arriti një fitore të papritur ndaj Darline Graham në Karolinën e Jugut, Sherrod Brown mposhti senatorin Jon Husted në Ohio, ndërsa Roy Cooper fitoi një vend vakant në Karolinën e Veriut.

Senatori demokrat Jon Ossoff fitoi një mandat të ri në Xhorxhia, duke mposhtur përfaqësuesin Mike Collins dhe duke ua mohuar republikanëve një vend që ata dikur e konsideronin si një nga mundësitë kryesore për ta fituar.

Përfaqësuesi Chris Pappas fitoi garën për Senat në New Hampshire, duke mposhtur ish-senatorin John Sununu dhe duke zënë vendin e senatores demokrate Jeanne Shaheen, e cila po largohet nga detyra.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët kanë marrë kontrollin, pasi mposhtën gjashtë republikanë në garat kryesore zgjedhore. Përfaqësuesi republikan Tom Kean nga New Jersey dhe tre republikanë në Pensilvani, Ryan Mackenzie, Scott Perry dhe Rob Bresnahan, humbën garat për rizgjedhje. Ndërkohë, demokratët fituan vende që kishin mbetur vakante në Karolinën e Veriut dhe në Kentucky.

Presidenti amerikan i kanë thënë Fox News se demokratët “kishin bërë një punë të mirë".

Ai madje e ka pranuar se lufta me Iranin dhe çmimet e larta të naftës, kanë pasur rol në humbjen e republikanëve. 

Këto zgjedhje do të ndryshojnë ndjeshëm balancën e pushtetit në Washington. Demokratët kishin hyrë në ditën e zgjedhjeve me optimizëm të kujdesshëm, ndërsa vëzhgonin republikanët që, në javët e fundit të fushatës, investuan dhjetëra miliona dollarë në shtete dhe zona zgjedhore që Trump i kishte fituar me diferencë të madhe dy vjet më parë.

Ata gjithashtu panë Trumpin duke zhvilluar fushatë në disa prej shteteve më konservatore të vendit.

Demokratët kishin vënë bast se pakënaqësia e qytetarëve për dështimin e Trumpit në frenimin e inflacionit, si dhe perceptimi se ai po përqendrohej më shumë në zbukurimin dhe luksin e kryeqytetit të vendit sesa në lehtësimin e barrës së çmimeve të larta për qytetarët, do ta kthente rezultatin në favor të tyre.

Kryenegociatori iranian: Amerikanët i thanë “jo” luftës

14 o. më parë / 4 nën 2026 11:45
Ghalibaf

Mohammad Bagher Ghalibaf

Photo: Associated Press

Kryenegociatori i Iranit në bisedimet me SHBA-në, Mohammed Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se amerikanët i kanë thënë “Jo luftës”, pasi Partia Republikane e presidentit Donald Trump pësoi një humbje të papritur në zgjedhjet e mesmandatit.

“Ne e mbështesim këtë mesazh”, ka shkruar kryetari i Parlamentit iranian, Ghalibaf, në platformën X.

“Nëse qeveria amerikane tradhton vullnetin e qytetarëve të saj për t’u shërbyer interesave të padronëve ndërkombëtarë dhe shantazhuesve, do të mësojë se JO-ja jonë vjen me një makth”, ka paralajmëruar ai.

Trumpi e ka pranuar të martën se rezultatet e dobëta të kandidatëve republikanë për Kongresin ishin pjesërisht pasojë e luftës dhe rritjes së çmimeve të naftës që lidhet me të. Megjithatë, ai ka këmbëngulur se nuk pendohet për sulmin e përbashkët me Izraelin ndaj Iranit në shkurt.

“Mendoj se një pjesë e tyre lidhej me Iranin”, ka thënë Trumpi në një intervistë për Fox Neës për rezultatet e zgjedhjeve. 

Ndërkaq, një intervistë të veçantë për CBS Neës, Trumpi ka deklaruar se konflikti do të përfundojë “kur të them unë se ka përfunduar”.

Gjatë javëve të fundit, presidenti ka paralajmëruar se SHBA-ja dhe Izraeli mund t'i rikthehen një lufte në shkallë të plotë pas zgjedhjeve të mesmandatit, nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin për t'i dhënë fund konfliktit.

Po ashtu, të mërkurën, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë deklaruar se katër cisterna nafte morën flakë pasi goditën mina detare në Ngushticën e Hormuzit.

Trumpi bëhet presidenti i gjashtë që humb kontrollin në Kongres

15 o. më parë / 4 nën 2026 11:25
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka humbur në zgjedhjet e mesmandatit, pasi Demokratët kanë marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Deri më tani këto dy dhoma kontrolloheshin nga Republikanët.

Megjithatë, Trumpi nuk është presidenti i parë i SHBA-së që pëson një disfatë të tillë. Ai madje është bërë presidenti i gjashtë në historinë moderne të Amerikës që pëson një disfatë të tillë.

Para tij, në vitin 1994, ish-presidenti Bill Clinton kishte humbur po ashtu në zgjedhjet e mesmandatit nga Republikanët.

Kjo fitore u cilësua historike pasi konsiderohej se iu dha fund dominimit demokrat që kishe zgjatur që nga viti 1954.

Pas Clintonit, ai që humbi në formën e njëjtë ishte edhe ish-presidenti George W. Bush në vitin 2006.

Në atë kohë, Bush ishte në vitin e dytë të mandatit të tij të dytë presidencial. Republikanët humbën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, të cilat i kishin fituar në zgjedhjet e vitit 2002 dhe i kishin ruajtur në vitin 2004.

Demokratët morën kontrollin e Kongresit për herë të parë që nga viti 1994, kur disfatën e njëjtë e pësoi Clintoni.

Disa nga faktorët që ndikuan në humbjen e zgjedhjeve të mesmandatit në kohën e George W. Bush, ishin lufta në Irak, e menaxhimi i pasojave nga Uragani Katrina që ndodhi në vitin 2005.

Sipas sondazheve aso kohe, 57% e votuesve nuk ishin të kënaqur me mënyrën se si Bush po e drejtonte vendin.

Megjithatë pavarësisht humbjes në vitin 1994, Clintoni arriti të rizgjidhej president në vitin 1996 duke mposhtur republikanin Bob Dole.

Për presidentin aktual të SHBA-së kjo nuk është hera e parë që humb në zgjedhjet e mesmandatit. Megjithatë, gjatë mandatit të parë të Trumpit, republikanët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por ruajtën Senatin.

Kontrollin në dy dhomat e kishte humbur në vitin 1918 Woodrow Wilson, pastaj Dwight Eisenhower në vitin 1954 dhe Harry Truman në vitin 1946.

Çka do të thotë fitorja e demokratëve në Kongres?

17 o. më parë / 4 nën 2026 09:29
demokrat

Demokratët kanë fituar kontrollin mbi të dyja dhomat e Kongresit amerikan, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin.

Rezultati i zgjedhjeve të mesmandatit nënkupton se Partia Republikane e presidentit Donald Trump ka humbur kontrollin e Kongresit, duke ia vështirësuar atij miratimin e ligjeve të reja dhe emërimin e zyrtarëve në pozita të rëndësishme shtetërore.

Por, çfarë ndodh tani?

Miratimi i ligjeve

Pasi të marrë fund tranzicioni dhe Kongresi i ri të nisë punën, demokratët do të kenë mundësi të bllokojnë nismat legjislative të republikanëve.

Ata tashmë kanë hartuar një plan për 100 orët e para të kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilin “New York Times” e ka përshkruar si një ofensivë të shpejtë legjislative.

Plani përfshin prezantimin e projektligjeve që synojnë heqjen e tarifave doganore, përfundimin e luftës me Iranin dhe uljen e kostove të sigurimit shëndetësor, sipas disa raportimeve.

Megjithatë, demokratët nuk do të kenë fuqi të mjaftueshme për t’i kthyer këto nisma në ligje, për dy arsye.

Së pari, për ta kaluar një projektligj në Senat dhe për ta sjellë atë në votim, nevojitet pajtimi i 60 senatorëve.

Edhe nëse demokratët sigurojnë shumicën në Senatin me 100 anëtarë, ata me shumë gjasë nuk do t’i kenë 60 votat e nevojshme.

Përjashtim bëjnë projektligjet që lidhen me të ashtuquajturin proces të pajtimit buxhetor, përmes të cilit mund të ndryshohen shpenzimet dhe taksat e qeverisë.

Së dyti, Trumpi ka të drejtën e vetos ndaj projektligjeve, përveç rasteve kur ato sigurojnë mbështetjen e dy të tretave të anëtarëve në të dyja dhomat e Kongresit.

Hetimet ndaj Trumpit

Fitorja në Dhomën e Përfaqësuesve u jep demokratëve kompetenca të mëdha për të zhvilluar hetime parlamentare, përfshirë të drejtën për të kërkuar dokumente dhe për të thirrur dëshmitarë përmes fletëthirrjeve zyrtare.

Ata kanë paralajmëruar se synojnë të nisin hetime ndaj Trumpit, veçanërisht për lidhjet mes interesave të biznesit të familjes së tij dhe ushtrimit të kompetencave presidenciale.

Edhe zyrtarët dhe aleatët e Trumpit mund të përballen me hetime.

“Nëse keni vjedhur nga populli amerikan, e keni dëmtuar apo e keni mashtruar atë, që nga dita e parë e Kongresit të ri do t'i mbajmë përgjegjës keqbërësit”, ka deklaruar lideri i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, në një tubim elektoral.

Disa anëtarë të partisë kërkojnë gjithashtu hetime ndaj institucioneve shtetërore, si Departamenti i Drejtësisë dhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI), të cilat udhëhiqen nga aleatë të Trumpit dhe që kanë ndjekur penalisht kundërshtarët e tij politikë.

“Që nga dita e parë duhet të hapim hetime ndaj drejtuesve të secilit prej këtyre institucioneve”, ka thënë kongresistja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez në një takim publik në shtetin e Maine.

A mund të shkarkohet Trumpi?

Disa demokratë duan që Trumpi të përballet për herë të tretë me procedurën e shkarkimit presidencial (impiçmenti), por brenda partisë nuk ka pajtim për këtë çështje.

Demokratët mund ta miratojnë shkarkimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve, ku do të kenë shumicën, por për ta dënuar dhe larguar nga detyra nevojiten dy të tretat e votave në Senat.

Figura demokrate si Kamala Harris dhe Hillary Clinton kanë deklaruar se nuk e mbështesin një përpjekje të tillë ndaj Trumpit dhe se partia duhet t’i përqendrojë energjitë në çështje të tjera.

Në vend të tij, një objektiv më i mundshëm për procedurë shkarkimi mund të jetë sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Një përpjekje e tillë mund të marrë mbështetje edhe nga disa republikanë.

Një rezolutë për shkarkimin e Hegsethit është paraqitur tashmë nga republikani Thomas Massie, mandati i të cilit po përfundon. Ajo lidhet me veprimet ushtarake të SHBA-së në Iran, Venezuelë, Jemen dhe vende të tjera.

Ndërkohë, Jeffries ka deklaruar se demokratët synojnë ta largojnë Hegsethin nga detyra.

“Pete Hegseth duhet të largohet nga presidenti, përndryshe ne do të duhet të merremi me këtë çështje”, ka thënë ai për televizionin MS NOW.

Megjithatë, Jeffries nuk ka treguar qartë nëse e mbështet shkarkimin e Trumpit apo të Hegsethit.

Periudha e fundit e Kongresit aktual

Kongresi i ri nuk do të betohet deri më 3 janar.

Ndërkohë, anëtarët e Kongresit aktual do të rikthehen më 9 nëntor, me një sërë çështjesh të rëndësishme të pazgjidhura.

Prioritet do të jetë miratimi i projektligjeve për financimin e qeverisë përpara 11 dhjetorit, kur skadon financimi aktual.

Nëse projektligjet e reja nuk miratohen deri atëherë, institucionet federale amerikane mund të përballen sërish me mbyllje të pjesshme të veprimtarisë.

Kjo do të ishte mbyllja e katërt gjatë mandatit të dytë të Trumpit dhe mund të shkaktonte kaos të mëtejshëm politik para përfundimit të vitit.

Emërimet dhe shkarkimet në institucionet shtetërore

Presidentit amerikan i nevojitet mbështetja e Senatit për të emëruar personat që dëshiron në pozita të rëndësishme shtetërore.

Shumica e senatorëve duhet të votojë pro për të konfirmuar emërimet presidenciale në pozita si sekretarët e kabinetit dhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme.

“Një nga arsyet pse duam të bëjmë gjithçka për ta rimarrë Senatin është që të mos lejojmë Trumpin të emërojë gjyqtarë kaq të këqij, gjyqtarë të lëvizjes MAGA, në Gjykatën Supreme dhe gjykatat më të ulëta”, kishte deklaruar në shtator lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

Disa prej gjyqtarëve aktualë të Gjykatës Supreme janë në moshë të shtyrë, përfshirë konservatorët Clarence Thomas, 78 vjeç, dhe Samuel Alito, 76 vjeç.

Alito ka përjashtuar mundësinë e pensionimit para ndryshimit të përbërjes së Kongresit, ndërsa edhe Thomas, sipas raportimeve, dëshiron të vazhdojë në detyrë.

Ata mund të përballen me presion për t’u tërhequr derisa republikanët ende kanë shumicën në Senat, por vendimi përfundimtar u takon vetë gjyqtarëve.

Trumpi, ndërkaq, do ta ketë më të lehtë të bëjë ndryshime në kabinetin e tij, nëse dëshiron, pasi presidenti ka kompetencën t'i shkarkojë sekretarët dhe zyrtarët e kabinetit pa pasur nevojë për miratimin e Senatit.

Musk: Duket se lazerët e mi hapësinorë për ndërhyrje në zgjedhje nuk funksionuan

17 o. më parë / 4 nën 2026 09:18
Elon Musk

Photo: Associated Press

Miliarderi Elon Musk ka pasur një rol të madh në rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

Sipas një analize të deklarimeve financiare të fushatave zgjedhore në nivel federal, të publikuara nga organizata OpenSecrets, Musku ka shpenzuar të paktën 455 milionë dollarë për të mbështetur kandidatët republikanë dhe kauzat konservatore. 

Kjo është një shumë rekord.

Vetëm në garën për Senatin në Teksas, Musku ka shpenzuar më shumë se 200 milionë dollarë të mbështetur kandidatin republikan Ken Paxton, i cili ka humbur përballë demokratit, James Talarico.

Në fjalimin e fitores, Talarico u është drejtuar mbështetësve të tij duke thënë: “Sapo i dërguam një mesazh çdo miliarderi që financon fushata politike, çdo trilioneri dhe çdo mbrojtësi të korruptuar të këtij sistemi të prishur politik, në këtë shtet dhe në këtë vend: pushteti u përket njerëzve”. 

Ndërkohë, pas një heshtjeje disa orësh, në rrjetet sociale është lajmëruar vetë Musk, i cili në platformën e tij X ka ironizuar duke thënë se :“Mesa duket, lazerët e mi hapësinorë për ndërhyrje në zgjedhje nuk funksionuan kësaj radhe”. 

James Talarico – demokrati i parë nga Teksasi qe fiton ulëse në Senat që nga viti 1988

17 o. më parë / 4 nën 2026 09:07
James Talarico

Photo: Associated Press

Demokrati James Talarico ka fituar garën për Senatin në Teksas, dhe kjo parashihet të jetë humbja më e madhe e republikanëve në zgjedhjet e këtij viti.

Fitorja e papritur e Talaricos ndaj republikanit Ken Paxton shënon herën e parë që një demokrat fiton një vend në Senatin amerikan në Teksas që nga viti 1988. Kjo fitore ka ndihmuar gjithashtu në sigurimin e kontrollit të plotë të Kongresit amerikan nga demokratët, pas një vale fitoresh në të gjithë vendin.

Talarico, ish-mësues shkolle, ishte një figurë pak e njohur deri vitin e kaluar. Gjatë fushatës së tij, ai e ka bërë rritjen e kostos së jetesës nën udhëheqjen republikane, një nga temat kryesore.

Paxton është përpjekur t'i paraqiste qëndrimet e Talaricos si tepër progresiste për Teksasin dhe ka zhvilluar disa aktivitete elektorale së bashku me presidentin, Donald Trump.

Mbështetësit e Talaricos shpërthyen në brohoritje kur televizionet, gjatë një organizimi për ndjekjen e rezultateve në Austin, kryeqytetin e shtetit, e shpallën atë fitues.

“Ne sapo dëshmuam se as të gjitha paratë e botës nuk mund t'i mposhtin banorët e Teksasit”, ka deklaruar Talarico pas shpalljes, duke iu referuar fitores ndaj Paxtonit, fushata e të cilit u mbështet nga Elon Musk, njeriu më i pasur në botë.

Për dekada me radhë, ideja që një demokrat të fitonte një garë në nivel shtetëror ishte konsideruar pothuajse e pamundur nga liberalët në Teksas.

Si shteti i dytë më i populluar në SHBA, Teksasi ka qenë një bastion i konservatorizmit, duke miratuar vazhdimisht politika republikane që më vonë janë zbatuar edhe në shtete të tjera.

Megjithatë, gjatë fushatës, sondazhet sugjeronin se Talarico, ligjvënës në parlamentin e shtetit, po fitonte gjithnjë e më shumë mbështetjen e votuesve, duke mobilizuar bazën demokrate në Teksas, e cila kërkonte me ngulm një udhëheqje të re.

Demokrati El-Sayed fiton zgjedhjet, bëhet senatori i parë mysliman në SHBA

17 o. më parë / 4 nën 2026 08:46
Abdul El-Sayed

Photo: Associated Press

Demokrati Abdul El-Sayed ka fituar të mërkurën zgjedhjet për Senatin amerikan, duke përfaqësuar shtetin e Michigan pasi mposhti kandidatin republikan Mike Rogers.

El-Sayed, ish-zyrtar i shëndetit publik, do të pasojë senatorin demokrat Gary Peters, i cili po tërhiqet nga detyra. 

Ai do të bëhet senatori i parë mysliman në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Zgjedhjet e mesmandatit i kanë fituar demokratët, duke marrë kontrollin si të Senatit ashtu edhe të Dhomës së Përfaqësuesve.

Trumpi thotë se do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve, por nuk e sheh atë si goditje ndaj tij

18 o. më parë / 4 nën 2026 07:46
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka përgëzuar demokratët për serinë e fitoreve të tyre të martën në mbrëmje, por ka pohuar se zgjedhjet e mesit të mandatit nuk ishin një referendum për punën e tij.

"Ata punuan shumë fort dhe gjatë”, ka thënë ai në një telefonatë me Fox Neës.

Disa kandidatë të mbështetur nga Trumpi humbën në vende që ai i fitoi lehtësisht në vitin 2024.

Por ai ka fajësuar vetë kandidatët, jo politikat ku ai është renditur në mënyrë të pafavorshme, si ekonomia dhe lufta me Iranin.

"Nuk e shoh si një goditje për mua”, ka deklaruar ai. "Kemi pasur dy vjetët më të mira në historinë e presidencës”, ka shtuar.

Demokratët kanë rikthyer kontrollin e Kongresit amerikan, duke fituar shumicën e ulësve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.