Shqipëria po hyn vrullshën në epokën e Inteligjencës Artificiale. Nga qeverisja publike te sistemi bankar, sistemi shëndetësor apo përdoruesit individualë, të gjithë po garojnë se si t’i shfrytëzojnë chatbot-et dhe asistentët virtualë në dobi të tyre.
Megjithatë, ekziston një ishull ku Inteligjenca Artificiale nuk ka depërtuar ende – ai është sistemi shqiptar i drejtësisë.
Ndryshe nga shumë vende të botës, platformat e Inteligjencës Artificiale nuk janë integruar në një asnjë nivel zyrtar të sistemit të drejtësisë, qoftë për procese administrative të menaxhimit të dosjeve, qoftë për nevoja të kërkimit ligjor.
Institucionet e sistemit të drejtësisë i thanë BIRN në përgjigje të kërkesave për të drejtë informimi se mjetet e Inteligjencës Artificiale nuk përdoren zyrtarisht për shkak të boshllëkut ligjor dhe mungesës së protokolleve, udhëzimeve apo manualeve të përdorimit të tyre.
Teknologjia digjitale vlerësohet se mbart një potencial të rëndësishëm për të mbështetur aksesin në drejtësi dhe Inteligjenca Artificiale ofron tanimë mundësi të jashtëzakonshme. Por rreziqet nga përdorimi i papërshtatshëm janë gjithashtu të mëdha, veçanërisht në një fushë delikate si drejtësisë.
Shqipëria nuk ka miratuar ende një ligj për Inteligjencën Artificiale, por në një projektligj të qeverisë, përdorimi i tij në administrimin e drejtësisë konsiderohet me rrezik të lartë dhe kërkon rregullime shtesë nga Këshilli i Ministrave ose institucionet e qeverisjes së këtij sistemi.
Në Shqipëri, i vetmi institucion i drejtësisë që po përgatit terrenin për një përdorim të mundshëm të IA është Këshilli i Lartë Gjyqësor.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor po punon për përgatitjen e kuadrit të nevojshëm dokumentar, i cili do të përcaktojë rregullat, standardet dhe parimet për përdorim të sigurt, etik e profesional të Inteligjencës Artificiale në sistemin gjyqësor,” deklaroi KLGJ.
Investime teknologjike
Ndryshe nga Inteligjenca Artificiale, sistemi shqiptar i drejtësisë po i përdor gjerësisht teknologjitë e tjera digjitale, veçanërisht në forcimin e kapaciteteve të veta përgjuese dhe arkivuese.
Gjatë vitit 2025, Prokuroria e Posaçme siguroi financim për dy projekte në fushën e teknologjisë me një vlerë totale prej 5.1 mln euro. Financimi i mbuluar nga fondi i posaçëm përfshinte prokurimin e një pajisjeje operative të avancuar, IMSI Catcher me vlerë 1.8 mln euro dhe përmirësimin e sistemit të përgjimeve, në versionin më të fundit MC 22, në një vlerë prej 3.3 mln euro, së bashku me shtimin e modulit të interceptimit të të dhënave dhe zgjerimin e memories së brendshme.
Në analizën e programit buxhetor afatmesëm 2026-2028, SPAK parashikon një rritje graduale të shpenzimeve të mirëmbajtjes dhe shërbimeve mbështetëse për këto sisteme.
“Gjatë vitit 2025, për veprat penale nën hetim nga Prokuroria e Posaçme janë interceptuar 3004 pajisje fundore,” thuhet në raportin vjetor të këtij institucioni.
Edhe Prokuroria e Përgjithshme ka shpenzuar gjatë vitit 2025 për investime teknologjike rreth 660 mijë euro për pajisje dhe mirëmbajtje të sistemit të përgjimit të komunikimeve. Sipas të dhënave të raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, me sistemin e mirëmbajtur, nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë interceptuar 1771 pajsje fundore, në përdorim të 1642 personave.
Qeveritë e gjyqësorit dhe prokurorisë, investimet në teknologji i kanë përqendruar kryesisht në blerje të softëare-ve, por bilancet flasin për realizime të kufizuara në parashikimet buxhetore.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka mundur të realizojë vetëm 49 për qind të një projekti për blerjen e softëare-ve, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë dogji një fond prej 2.8 milionë lekësh për “blerje pajisje IT”. Në raport pretendohej se shkak ishin vonesat në afatet e prokurimit nga ditët e pushimit zyrtar dhe vonesat procedurale.
“Gjatë vitit 2025, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka kryer shpenzime të dedikuara për blerjen ose implementimin e teknologjive të survejimit, transkriptimit automatik, apo grumbullimit të automatizuar të të dhënave. Për këtë kategori, vlera e shpenzuar gjatë viti 2025 është zero lekë,” tha KLP.
Në të njëjtën linjë, edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë konfirmoi se për periudhën 2025-2026 nuk është shpenzuar asnjë fond për investime teknologjike.
Boshllëk ligjor
Projektligji i qeverisë “Për Inteligjencën Artificiale”, ende i pamiratuar në Kuvend, i konsideron sisteme me rrezik të lartë ato që përdoren në administrimin e drejtësisë dhe nga autoritetet e zbatimit të ligjit.
Klasifikimi si sistem me rrezik të lartë nuk nënkupton ndalim automatik të përdorimit, por kërkon masa më të forta kontrolli, dokumentimi, vlerësimi të rrezikut dhe mbikëqyrjeje njerëzore.
Gjithsesi, institucionet e drejtësisë në Shqipëri duken të papërgatitura për një aplikim të mundshëm të këtyre sistemeve.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë i tha BIRN se kjo Inteligjenca Artificiale nuk përdoret për shkak të mungesës së kuadrit ligjor të posaçëm që rregullon aplikimin në mënyrë të sigurt, transparente dhe të përgjegjshme.
“Mungesa e një kuadri të dedikuar ligjor për inteligjencën artificiale krijon pasiguri juridike për institucionet publike, mungesë të standardeve për sigurinë dhe transparencën e teknologjisë si dhe rrezik për cenimin e të drejtave themelore dhe të dhënave personale,” tha ILD.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë thanë gjithashtu se platformat publike të Inteligjencës Artificiale nuk janë kontraktuar apo miratuar si platforma zyrtare institucionale për përpunimin e dokumentacionit zyrtar.
Prokuroria e Posaçme i tha BIRN se përdor mjete teknologjike ndihmëse për të mbështetur punën administrative dhe hetimore, brenda kufijve të parashikuar nga ligji, por pa i specifikuar ato.
“Përdorimi i çdo mjeti teknologjik i nënshtrohet garancive për ruajtjen e sekretit hetimor dhe mbrojtjen e të dhënave,” tha Ada Heqimi, koordinatore për mediat e SPAK.
Edhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm nuk i përdorin programet e Inteligjencës Artificiale për nevoja hetimi, por gjithashtu nuk ka ndonjë ndalesë për përdorimin e tyre nga prokurorët individualisht.
“Nuk pengohet përdorimi për qëllime pune i programeve Gemini, Chat GPT, Cloud, Notebook, apo programe të tjera,” tha për BIRN Prokuroria e Përgjithshme.
Për shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Inteligjenca Artificiale nuk është ende një çështje e sistemit tonë të drejtësisë përsa kohë që këto platforma nuk janë përqafuar zyrtarisht nga institucionet.
“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë nuk disponon të dhëna lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale nga ana e anëtarëve të saj dhe nuk e ka pasur deri më sot objekt të çështjeve për diskutim, duke qenë se ka të bëjë me një fenomen të ri, të patrajtuar, të parregulluar dhe çështje të zgjedhjes personale të gjyqtarëve deri më sot,” tha Engert Pëllumbi, kryetar i Shoqatës.
Edhe kryetari i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, Gëzim Spahiu thotë se përdorimi i Inteligjencës Artificiale në çështje të hetimit do të duhet të shoqërohet me garanci të forta ligjore.
“Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në veprimtarinë hetimore duhet të shoqërohet me garanci të forta ligjore dhe teknike për mbrojtjen e sekretit hetimor, të dhënave personale, sigurisë kibernetike, transparencës së proceseve dhe ruajtjes së rolit të pazëvendësueshëm të prokurorit në procesin penal,” tha Spahiu për BIRN.
Sfidat e përdorimit profesional
Sistemi shqiptar i drejtësisë pritet të përballet gjithashtu me sfidat e përdorimit profesional në të ardhmen, pasi shumë pak magjistratë janë përfshirë në diskutime apo trajnime mbi Inteligjencën Artificiale.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i tha BIRN se sa kohë që IA nuk është implementuar ende si një zgjidhje zyrtare, nuk janë zhvilluar trajnime të posaçme për gjyqtarët dhe stafin ndihmës deri në këtë fazë.
Edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë konfirmoi mungesën e trajnimeve në këtë fushë, ndërkohë që vetëm Shkolla e Magjistraturës kishte trajnuar 8 prokurorë.
Prokuroria e Përgjithshme i tha BIRN se gjatë vitit 2026 ka paraqitur 2 projekte në Ministrinë e Drejtësisë, një nga të cilët për digjitalizimin e arkivave dhe tjetri për përfshirjen e Inteligjencës Artificiarle në Sitemin e Integruar të Menaxhimit të Çështjeve.
“Vënia në punë e Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve përfshin edhe trajnimin e prokurorëve, i cili ende nuk ka filluar,” deklaroi Prokuroria e Përgjithshme.
Në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, 35 punonjës të administratës kanë marrë pjesë në trajnime mbi Inteligjencën Artificiale të organizuara në Këshilli i Europës dhe CEPEJ, ndërsa për vitin 2026 është planifikuar trajnimi i 7 punonjësve të tjerë.
Edhe më e largët duket KLGJ në këtë drejtim, e cila thotë se po parashikon hapat për implementimin e një projekti të posaçëm, i cili pritet të shoqërohet gjithashtu me trajnime.
“Sfida kryesore lidhet me mbrojtjen e të dhënave, konfidencialitetin, saktësinë e informacionit dhe ruajtjen e përgjegjësisë njerëzore në proceset vendimarrëse,” përfundoi KLGJ. /BIRN












