Tronditet politika gjermane, gjendet i vdekur në një hotel zëvendëskryeministri i Bavarisë

5 Nëntor 2026 | 08:38

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Bavarisë, Hubert Aiwanger, është gjetur i vdekur në një dhomë hoteli në Berlin, të mërkurën. Policia gjermane ka nisur një hetim për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vdekjes së politikanit 55-vjeçar.

Sipas një deklarate të policisë, Aiwanger u gjet pa shenja jete në dhomën e tij të hotelit, në lagjen Berlin-Mitte. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe për të përjashtuar mundësinë e përfshirjes së një pale të tretë.

Aiwanger, i cili drejtonte partinë populiste Votuesit e Lirë dhe mbante gjithashtu postin e ministrit të Ekonomisë në Bavari, ndodhej në kryeqytetin gjerman për inaugurimin e një zyre të re të partisë së tij. Megjithatë, ai nuk mori pjesë në aktivitet, pasi nuk ishte ndier mirë, raportoi gazeta gjermane Bild. Trupi i tij u gjet më vonë në hotel.

Kryeministri i Bavarisë, Markus Soder, e cilësoi vdekjen e tij si një “tragjedi absolute”.

“Jemi të gjithë thellësisht të tronditur. Mendimet tona tani janë para së gjithash me familjen dhe fëmijët e tij”, deklaroi Söder.

Partia Votuesit e Lirë ishte partnere e vogël në qeverinë rajonale të Bavarisë, të drejtuar nga Unioni Kristian Social (CSU) i Soderit.

Aiwanger drejtonte degën bavareze të Votuesve të Lirë që prej vitit 2006. Nën udhëheqjen e tij, partia hyri për herë të parë në qeverinë e landit në vitin 2018, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm vende për t’u përfaqësuar në parlamentin federal të Gjermanisë.

Karriera e tij politike u shoqërua edhe me polemika. Në vitin 2023, ai u përball me reagime të forta pas raportimeve se, kur ishte 17 vjeç dhe nxënës shkolle, kishte shkruar një pamflet antisemitik, në të cilin kampi i Aushvicit përshkruhej si një “lagje argëtimi”.

Aiwanger mohoi se ishte autori i pamfletit, megjithëse pranoi se kishte pasur një ose disa kopje të tij në çantën e shkollës. Ai kërkoi falje për këtë çështje, por refuzoi të jepte dorëheqjen.

Politikani 55-vjeçar kishte dy fëmijë dhe jetonte me partneren e tij.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Momente kur vritet brenda bankës oficeri i policisë në Kolumbi (VIDEO)

Një oficer i Policisë Kombëtare të Kolumbisë është vrarë me armë zjarri brenda një banke, ku kishte shkuar për të kryer disa veprime personale. Ngjarja...
08:30 | 05/11/2026

“I ndryshuan rregullat për ta mundur, por ai fitoi”, demokrati Figures triumfon në Alabama

Demokrati Shomari Figures ka fituar rizgjedhjen në Kongresin amerikan në Alabama, pavarësisht se kandidoi në një distrikt zgjedhor, kufijtë e të cilit ishin rishikuar nga...
08:10 | 05/11/2026

“Teksasi është blu”, senatori Ted Cruz: Kjo është një fjali e vështirë për t’u shqiptuar

Senatori republikan i Teksasit, Ted Cruz, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, duke i cilësuar ato jo thjesht si...
07:54 | 05/11/2026