Rama përsërit ftesën për dialog me studentët

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe sot ftesën për dialog me studentët dhe pedagogët që vijojnë protestën në ditën e 24-rt të saj.
Përmes sofrës së gurtë të vendosur përballë Kryeministrisë dhe ftesave me mbishkrimin “Dialog”, kreu i qeverisë u ka bërë sërish apel protestuesve që të ulen në tryezën e bisedimeve.
Protesta e të rinjve vijon mes qëndrimeve të ndryshme të studentëve. Një pjesë e tyre janë rikthyer në auditore, ndërsa një grup i vogël vijon me thirrjen për ndërprerjen e mësimit dhe mobilizimin e studentëve për t’iu bashkuar protestës.
Edhe një ditë më parë, një grup të rinjsh u mblodhën fillimisht përpara Universitetit Politeknik dhe më pas marshuan drejt fakulteteve të tjera, ku hyn në auditore dhe ndërprenë zhvillimin e mësimit.
Protestuesit kanë refuzuar deri më tani ftesat e Kryeministrit për dialog, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Rama është shprehur i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim të studentëve dhe pedagogëve, ndërsa ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një paketë masash për adresimin e shqetësimeve të tyre. /Telegrafi/









































