Një ngjarje tragjike është regjistruar në Somali, ku një efektiv policie, pjesë e truprojës së shefit të policisë së Mogadishut, Ma’alin Mahdi, ka humbur jetën pasi është goditur nga helika e një avioni që sapo ishte ulur në aeroport.

Ngjarja ndodhi më 3 nëntor në aeroportin e Dhusamareb, në Somalinë qendrore. Sipas raportimeve të mediave lokale, efektivi po largohej nga avioni pas zbritjes, pa vënë re se helika vijonte të rrotullohej. Ajo e goditi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vendngjarje.

Viktima është identifikuar si Mukhtar Qasim Samay, pjesëtar i forcave policore somaleze dhe i njësisë speciale Haramacad.

Në momentin e aksidentit, ai shoqëronte shefin e policisë së Mogadishut, Ma’alin Mahdi, i cili kishte mbërritur në qytet për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të drejtuesit të ri të rajonit Galmudug, Liban Ahmed Hassan, e planifikuar për 5 nëntor.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet kur efektivët dhe personat e tjerë zbresin nga avioni, ndërsa helikat vijojnë të rrotullohen.

Pas ngjarjes, drejtues të policisë somaleze kanë shprehur ngushëllimet për familjen dhe kolegët e viktimës, duke e cilësuar atë si një nga efektivët e dalluar të forcave të policisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb