Dita e ndeshjes/ Egnatia në sprovën rumune ndaj U.Craiova, kampionët e Shqipërisë pa presion

Conference League | 9 minuta më parë

Conference League do të flasë shqip edhe mbrëmjen e sotme. Egnatia kampione e Shqipërisë luan ndeshjen e 3-të të fazës së ligës të këtij kompeticioni kundër rumunëve të Universitatea Craiova. Ndeshja luhet në Rumani, në orën 21:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH.

Egnatia në fakt nuk ka asnjë lloj presioni para kësaj sfide. Pas kualifikimit historik në grupet e Conference League dhe paraqitjeve të mira me dy barazime ndaj kundërshtarëve danezë, Midtjylland dhe Arhaus, skuadra e trajnerit Dede është krejtësisht e qetë. Sigurisht, rrogozhinasit nuk kënaqen me kaq dhe sot do të japin gjithçka në Rumani për një tjetër rezultat pozitiv në grup.

Nuk ka asgjë të pamundur dhe kampionët e Shqipërisë luajnë shanset e tyre. Jo më kot në ndeshjen e fundit të kampionatit trajneri Nevil Dede preferoi të çlodhte lojtarë me peshë si, Dajsinani, Kryeziu, Fernando Medeiros dhe Jaime, ndërsa Adjesa dhe Jago u aktivizuan nga stoli. Të gjithë pritet të zbresin në fushë nga minuta e parë sot në mbrëmje.

Problem për rrogozhinasit është vetëm qendra e mbrojtjes, ku Sota është dëmtuar, ndërsa Bitri ka udhëtuar me skuadrën në Rumani, por është në dyshim, pas dëmtimit që pësoi ndaj Tiranës disa ditë më parë. Tjetër mungesë e rëndësishme për trajnerin Dede është ajo e sulmuesit Gruda, edhe ai i dëmtuar në kampionat.

Nëse marrin pikë sot në Rumani, kampionët e Shqipërisë shtojnë shanset e tyre për një kualifikimn të mundshëm në fazën tjetër të Conference League.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme