A mund t’i ndalohet Infantinos kandidimi për një mandat tjetër në krye të FIFA-s?

Gianni Infantino mund të përballet me kundërshtim ligjor nëse synon të kandidojë për një mandat të ri si president i FIFA-s në vitin 2027. Miguel Maduro, ish-kryetar i Komitetit të Menaxhimit të organizatës, thotë se statuti nuk ia lejon rikandidimin, pasi Infantino është zgjedhur tri herë në këtë post.

Maduro ka ngritur shqetësime edhe për një klimë frike në FIFA, e cila, sipas tij, i pengon federatat kombëtare të futbollit të shprehin kundërshti ndaj presidentit aktual. Ndërkohë, organizata për të drejtat e njeriut FairSquare u ka bërë thirrje federatave të sfidojnë kandidaturën e tij.

Të lidhura

None found

Infantino mori drejtimin e FIFA-s në shkurt të vitit 2016, pas largimit të Sepp Blatter, mandati i të cilit u shoqërua me skandale të mëdha korrupsioni. Ai fitoi rizgjedhjen më 2019 dhe 2023, ndërsa synon të vazhdojë detyrën edhe pas zgjedhjeve të parashikuara për mars të vitit 2027.

Debati lidhet me nenin 33 të statutit të FIFA-s, i cili përcakton se një person nuk mund ta mbajë presidencën për më shumë se tri mandate.

“Neni 33, paragrafi 2 i statutit të FIFA-s e thotë qartë se askush nuk mund të shërbejë si president për më shumë se tri mandate. Gianni Infantino është zgjedhur tri herë dhe ka qenë president për tri mandate. Sipas meje, kjo nuk mund të pajtohet në asnjë mënyrë me një mandat tjetër presidencial të tij”, deklaroi Maduro.

FIFA, megjithatë, e interpreton ndryshe këtë kufizim. Në dhjetor të vitit 2022, këshilli i saj miratoi njëzëri që periudha 2016-2019 të mos numërohej si mandati i parë i Infantinos, me arsyetimin se ai po përfundonte mandatin e nisur nga paraardhësi.

Ky interpretim i hap rrugën Infantinos të kandidojë sërish më 2027. FairSquare vëren se FIFA nuk ka bërë publik deri më sot një shpjegim ligjor që mbështet këtë qëndrim.

“Formulimi i dispozitës është i qartë dhe përcakton tri mandate. Aty nuk bëhet dallim mes mandateve të plota e të paplota, atyre katërvjeçare apo mandateve që zgjasin më pak se katër vjet”, tha Maduro.


Shtuar më 5.11.2026 09:12