Demokratët marrin mazhorancën në Kongres e Senat, Topallaj: Lufta në Iran godet administratën

Demokratët marrin mazhorancën në Kongres e Senat, Topallaj: Lufta në Iran godet administratën

09:05, 05/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin 'Kafe Shqeto' në Syri TV, diplomati Spartak Topollaj ka analizuar zhvillimet politike në SHBA pas zgjedhjeve të fundit, duke u ndalur te ndikimi i luftës në Iran në rezultatin elektoral.

Ai tha se konflikti ka sjellë kosto të konsiderueshme ushtarake dhe ekonomike për SHBA-në, ndërsa një nga çështjet që pritet të marrë vëmendje është edhe roli i sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në drejtimin e operacioneve ushtarake.

Topollaj theksoi se zhvillimet kërkojnë reflektim nga administrata amerikane.

Pjesë nga intervista:

Për të qenë të saktë, duhet të themi që një parashikim i tillë u bë përpara se të realizoheshin zgjedhjet. U duk që administrata Trump nuk do të mund t’i fitonte. Ndoshta pati iluzione për Senatin, që mund të ishte i shpëtueshëm, por Kongresi ishte e padiskutueshme që do të humbiste. Flas për mazhorancën në Kongres. Koha e vërtetoi, ose zgjedhjet e fundit e vërtetuan përsëri, që edhe Senati humbi për republikanët dhe tani kemi rezultatin 54 me 44 senatorë në favor të demokratëve. Ashtu siç u humb thellë, mund të themi edhe për Kongresin, kur rezultati është 236 me 146 deri në këto momente, pasi janë edhe dy vende të diskutueshme. Mazhorancë e fortë e demokratëve. Humbja është e thellë dhe kërkon reflektim, por kryesorja është: pse?

Kryearësyeja është lufta në Iran. Kjo është arsyeja që edhe shigjetat tani po drejtohen drejt Pete Hegseth, sekretarit amerikan të Mbrojtjes, pra kreut të Pentagonit, ministrit të Luftës, njeriut që, në fund të fundit, mban përgjegjësinë kryesore për arritjet ose dështimet në fushën ushtarake të ushtrisë më të fuqishme të botës dhe të superfuqisë së vetme që njeh bota.

Dhe natyrisht, edhe pse po bëhen deklarata nga Trumpi dhe nga stafi i tij i ngushtë, nga Shtëpia e Bardhë, por edhe nga Pentagoni, që presidenti Trump ka, më saktë, besim të plotë dhe mbështet sekretarin Hegseth, shenjat janë që ai nuk do të mund të rezistojë gjatë. Kongresi dhe Senati do të kërkojnë patjetër shkarkimin e tij.

Natyrisht, janë interesat politike në radhë të parë të demokratëve. Interesa të tilla kanë edhe republikanët, pasi bëhet fjalë për një buxhet kolosal lufte. Madje, u fol që Trumpi ka miratuar edhe 70 miliardë dollarë të rinj për të forcuar Pentagonin, ushtrinë dhe rezultatet e ushtrisë amerikane në vendet ku ajo ka bazat ose edhe kur lufton, siç është rasti me Iranin. Kur flasim për 70 miliardë, bëhet fjalë për dollarë, pra është një shumë që nuk mund të mos e kesh në konsideratë. Por kryesorja është kjo: nuk pati ndonjë rezultat të madh ushtarakisht dhe, për fat të keq, as ekonomikisht, me ndërprerjen e furnizimeve me naftë, sepse dihet që pellgu i Gjirit Persik, zona iraniano-arabike, është më e fuqishmja ose më e pasura në botë me karburante dhe atje del mbi 20 për qind e naftës që përdoret në botë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco