Pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit, autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit tragjik në pallatin në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, ku humbën jetën dy persona, u plagosën disa të tjerë, si dhe u shkaktuan dëme të mëdha.
Ekspertë të Policisë dhe Prokurorisë së Elbasanit, kanë mbërritur në vendngjarje për të mbledhur provat dhe për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, pritet që specialistët e Institutit të Ndërtimit të kryejnë një ekspertizë për të vlerësuar dëmet dhe sigurinë e godinës.
Vlerësimi teknik do të përcaktojë nëse pallati është i qëndrueshëm dhe nëse banorët mund të rikthehen në banesat e tyre. Nga ana tjetër, Bashkia e Elbasanit ka bërë të ditur se do të marrë masa për strehimin e familjeve të prekura nga shpërthimi.
Kujtojmë që viktima nga shpërthimi mbetën një burrë dhe një grua. Mëngjesin e sotëm u gjet trupi i pajetë i 69 vjeçarit Hamit Ibra.
Ai rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit, ndërsa ekipet e emergjencës vijuan për orë të tëra kërkimet për gjetjen e tij nën rrënojat e pallatit.
Një ditë më parë u gjet e pajetë edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, e cila jetonte një kat më lart apartamentit në flakë.







