
Hamit Ibro, 69 vjeç është viktima e dytë e shpërthimit të fuqishëm në një pallat pesë katësh në qytetin e Elbasanit.Trupi i pajetë i 69-vjeçarit u gjet nën rrënojat e godinës.
Ndërkohë, ekspertë të Policisë dhe Prokurorisë kanë nisur punën për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes, ndërsa në vijim pritet mbërritja e specialistëve të Institutit të Ndërtimit, të cilët do të kryejnë një tjetër vlerësim të gjendjes së godinës.
Bashkia e Elbasanit ka deklaruar se, në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për strehimin e banorëve të prekur nga ngjarja, si dhe për ndërhyrjet e mëtejshme që do të kërkohen në varësi të vlerësimit të situatës.
Ngjarja e rëndë u shënua të mërkurën (4 nëntor), ku rreth orës 14:00, apartamenti i 69-vjeçarit u përfshi nga flakët – paraprakisht dyshohet si pasojë e bombolës së gazit.
Flakët u përhapën edhe në pjesë të tjera të kateve dhe kjo bëri që fëmijë, të rritur dhe të moshuar të evakuoheshin menjëherë, përveç një 82-vjeçareje që nuk arriti dot të dilte nga godina e cila u përpi nga zjarri.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.
Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.
Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim.