BE jep alarmin për sigurinë ushqimore: Probleme me AKU-në, pesticidet dhe laboratorët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.11.2026, 09:24

Siguria ushqimore në Shqipëri mbetet një shqetësim për Bashkimin Europian. Në raportin e vitit 2026, Komisioni Europian evidenton mangësi në funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), monitorimin e pesticideve, analizat laboratorike dhe transparencën e inspektimeve.

Sipas raportit, legjislacioni shqiptar është ende pjesërisht i përafruar me standardet europiane, ndërsa zbatimi i kontrolleve vijon të ketë problematika. Komisioni kërkon reforma në AKU, përfshirë bashkimin me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe qartësimin e kompetencave mes institucioneve përgjegjëse.

Shqetësime ngrihen edhe për laboratorët ushqimorë, ku mungojnë metoda të standardizuara dhe të validuara për garantimin e rezultateve të besueshme. Po ashtu, kërkohet forcimi i monitorimit të mbetjeve të pesticideve dhe marrja e masave konkrete ndaj produkteve që nuk përmbushin standardet.

Në vëmendje janë edhe cilësia e qumështit, gjurmueshmëria e kafshëve, mbikëqyrja e sëmundjeve dhe kontrollet në pikat kufitare. Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të përmirësojë sistemin e administrimit të nënprodukteve shtazore.

Një nga çështjet më të ndjeshme të raportit është rreziku i korrupsionit gjatë inspektimeve dhe certifikimeve veterinare e fitosanitare. Komisioni kërkon më shumë transparencë, llogaridhënie dhe mekanizma për garantimin e integritetit institucional.

Sipas Brukselit, këto mangësi kërkojnë ndërhyrje konkrete, pasi nuk lidhen vetëm me procesin e integrimit europian, por edhe me mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve shqiptarë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit