Aktivistet e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist kanë dalë sot para objektit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku po kërkojnë të lejohen të hyjnë brenda për t’u takuar me kryeprokurorin e shtetit.
Aktivistet i kanë kërkuar Policisë së Kosovës që t’ua mundësojë hyrjen në objekt, mirëpo nga Policia u është bërë e ditur se brenda mund të hyjnë vetëm tre persona.
Megjithatë, pas kërkesës së aktivisteve, kryeprokurori pranoi të priste shumicën e protestuesve në zyrën e tij.
Më pas, aktivistet u drejtuan për në takim me kryeprokurorin, ku pritet të përcjellin kërkesat e tyre për drejtësi, përgjegjësi dhe trajtim institucional të rastit.
Kryeprokurori i Shtetit ka theksuar se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për përgjegjësit eventual brenda sistemit për rastin e të ndjerës Arlinda Zekaj.
Kujtojmë se aktivistet e këtij kolektivi, së bashku me qytetarë të tjerë, po protestojnë çdo natë që nga vdekja e Arlinda Zekajt, duke kërkuar reagim dhe përgjegjësi institucionale lidhur me rastin.