Një ditë pas shpërthimit tragjik në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe mbetën të plagosur 10 të tjerë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Mëngjesin e kësaj të enjteje, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, të cilët kanë nisur këqyrjen e zonës dhe mbledhjen e provave për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e shpërthimit të fuqishëm që shkatërroi një pjesë të pallatit pesëkatësh.
Hetimet kanë nisur pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit dhe nxjerrjes së trupit të pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibra, i cili ishte viktima e dytë e tragjedisë. Viktima e parë ishte 83-vjeçarja Hatixhe Berisha.
Po ashtu pritet që në vendngjarje të mbërrijnë edhe ekspertët e institutit të ndërtimit, për të vlerësuar dëmet në strukturën mbajtëse të godinës, qëndrueshmërinë e saj dhe rrezikun që mund të paraqesë për banorët.
Nga rezultatet e kësaj ekspertize do të përcaktohet nëse pallati mund të jetë sërish i banueshëm apo nëse do të nevojiten ndërhyrje të mëtejshme për garantimin e sigurisë.
Ndërkohë, Bashkia e Elbasanit ka bërë të ditur se do të marrë masa për strehimin e përkohshëm të familjeve që kanë mbetur pa banesa si pasojë e shpërthimit.
Për momentin, një nga pistat që po shqyrtohet për shkakun e shpërthimit është ajo e një rrjedhjeje të mundshme gazi nga një bombol gatimi, por ende nuk ka një përfundim zyrtar nga hetuesit.
Përgjigjet e ekspertizës pritet të hedhin dritë jo vetëm mbi shkakun e tragjedisë, por edhe mbi sigurinë e ndërtesës dhe mundësinë e rikthimit të banorëve në apartamentet e tyre.













