Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet 57-vjeçari në Shkodër, i dyshuar për kultivimin e 78 bimëve dhe prodhimin e mbi 24 kg kanabis



Një 57-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Vila”, pas disa muajsh hetime për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike në zonën e Temalit, në Vau të Dejës.

Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet N. N., banues në Shkodër. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka bashkëpunuar në kultivimin e 78 bimëve kanabis dhe prodhimin e 24 kilogramëve e 240 gramëve lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa.

Bimët dhe lënda narkotike u zbuluan dhe u sekuestruan nga Policia më 12 tetor 2026, në fshatin Vilë, në njësinë administrative Temal.

Operacioni u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas një hetimi disa mujor të zhvilluar me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.