Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 57-vjeçar, pasi dyshohet se ishte bashkëpunëtor në kultivimin dhe prodhimin e 78 bimëve kanabis. I arrestuari është Ndue Nikaj, ndërsa policia ka gjetur dhe sekuestruar lëndën e dyshuar narkotike.

Ndërkohë kanë vijuar hetimet identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i policisë:

Vau i Dejës/ Finalizohet operacioni i koduar “Vila”,si rezultat i disa muajve hetime me metoda proaktive për dokumentimin e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.    

I dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin dhe prodhimin e 24 kg e 240 gramë Cannabis Sativa dhe 78 bimëve Cannabis Sativa, identifikohet nga hetimet dhe vihet në pranga 57-vjeçari.  

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas një pune intensive hetimore disamujore, të kryer me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, finalizuan operacionin e koduar “Vila”.

Si rezultat i këtij operacioni, u identifikua dhe u ndalua shtetasi N. N., 57 vjeç, banues në Shkodër.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas është bashkëpunëtor në kultivimin dhe prodhimin e 24 kg e 240 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe në kultivimin e 78 bimëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, që janë gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e Policisë, më datë 12.10.2026, në fshatin Vilë, njësia administrative Temal.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë