Një 49 vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi gjatë kontrolleve iu gjet një armë zjarri tip pistoletë dhe një jelek antiplumb. Policia njofton se 49 vjeçari, Eduard Dushku u kap në kuadër të operacionit ‘Eksponenti’ në rrugën e Elbasanit teksa po lëvizte një motomjet. Gjatë kontrollit fizik dhe të motomjetit u gjet një armë zjarri e llojit pistoletë me municion, të cilën dyshohet se 49 vjeçari do ta trafikonte. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, policia njofton se gjeti edhe një jelek antiplumb. 49 vjeçari rezulton person me precedentë të theksuar penalë për krime kundër jetës dhe armëmbajtje pa leje. Ai njihej edhe si i forti i Saukut.